Lifestyle

Kafeina mund t’i ndihmojë pacientët të zgjohen më shpejt pas anestezionit

Kafeina mund t’i ndihmojë pacientët të zgjohen më shpejt pas anestezionit të përgjithshëm, sugjeron një studim i kafshëve.

Minjve të rritur iu dha një përqendrim prej 3 për qind të një anestezie të përgjithshme për një orë për t’i simuluar efektet e një procedure të shkurtër kirurgjikale, transmeton Koha.net. Gjatë 10 minutave të fundit të ekspozimit anestetik, ata e morën ose një injeksion të kafeinës ose një solucion kripe.

Eksperimenti u përsërit tri herë me sasi gjithnjë e më të larta të kafeinës. Secilën herë, minjtë në grupin e kafeinës u zgjuan më shpejt se të tjerët. Në dozën më të lartë, minjtë në grupin e kafeinës u zgjuan 55 për qind më shpejt sesa grupi i kontrollit.

Studiuesit thanë se kafeina duket se e shkurton kohën e zgjimit prej anestezionit në dy mënyra.

Kafeina i rrit nivelet e adenozinës monofosfat ciklike, ose cAMP, një komponentë e cila e rregullon funksionin qelizor. Studimet e mëparshme kanë zbuluar se një rritje në nivelet e cAMP e përshpejton zgjimin nga anestezioni i përgjithshëm, thanë hulumtuesit.

Kafeina gjithashtu vepron si antagonist i receptorit të adenozinës. Aktiviteti i sistemit nervor ngadalësohet kur adenozina lidhet me receptorët e saj, duke shkaktuar përgjumje. Kafeina e pengon këtë lidhshmëri, sipas autorëve të studimit, përcjell Koha.net.

Studimi, i udhëhequr nga studiuesit e Universitetit të Chicagos, u publikua online kohët e fundit në Journal of Neurophysiology.

Është e rëndësishme të mos harrojmë se gjetjet në studimet e kafshëve shpesh nuk arrijnë të prodhojnë rezultate të ngjashme tek njerëzit.