Lifestyle

Nëse pini shumë ujë ndihmoni dietën dhe uljen e peshës

Rritja e sasisë së konsumuar të ujit mund t’i ndihmojë njerëzit të ushtrojë kontroll më të mirë mbi atë se sa dhe çfarë hanë, sipas një studimi të kohëve të fundit.

Uji i thjeshtë - nga rubineti apo shishja – rezultoi se e ul konsumimin e kalorive tek njerëzit për shkak të reduktimit të yndyrave të ngopura, sheqerit, natriumit dhe kolesterolit në dietën e tyre, zbuluan hulumtuesit në Universitetin e Illinois në një studim për shprehitë e ushqyerjes së amerikanëve, transmeton Koha.net.

Ideja nuk është e pabazuar, pasi një studim i publikuar në janar tregoi se kur disa shkolla në New York City shtuan pajisje për ofrim të ujit në linjat e drekës panë reduktime në BMI dhe rrezikut për obesitet në mesin e nxënësve.

Për studimin e ri, të publikuar në Journal of Human Nutrition and Dietetics, studiuesit i analizuan të dhënat nga katër valë të Studimit Kombëtar Shëndetësor dhe Ekzaminues në mes të viteve 2005 dhe 2012 në 18,311 të rritur mbi moshën 18 vjeç.

Pjesëmarrësit e studimit u pyetën se çfarë kishin konsumuar gjatë dy ditëve, të ndarë në tre deri në 10 ditë, ku studiuesit e llogaritën se sa ujë të thjeshtë pinin si përqindje të konsumit ditor të ujit dietetik nga ushqimi dhe pijet të kombinuara.

Në përgjithësi, pjesëmarrësit i pinin 4.2 gota ujë në ditë, gjë që paraqet 30 për qind të totalit të konsumit ditor dietetik të ujit. Konsumi i tyre mesatar i kalorive ishte 2,157, duke përfshirë 125 kalori nga pijet e ëmbëlsuara me sheqer dhe 432 kalori nga ushqimi i shpejtë.

Studiuesit zbuluan se një rritje prej 1 për qind në proporcionin e konsumit ditor të ujit u shoqërua me një rënie prej 8.58 kalorive, gjë që tregon reduktime në më pak pije të ëmbëlsuara me sheqer, ushqim të shpejtë, yndyrë totale, yndyra të ngopura, sheqer, natrium dhe kolesterol.

“Ndikimi i konsumit të ujit të thjeshtë në dietë ishte i ngjashëm në të gjitha racat, etnitë, edukimin dhe nivelet e të ardhurave dhe gjendjen e peshës trupore”, tha dr. Ruopeng An, asistent profesori në Universitetin e Illinois, në një njoftim për shtyp. “Ky rezultat tregon se mund të jetë e mjaftueshme të dizajnohen dhe të ofrohen intervenime universale të të ushqyerit dhe fushatave arsimore që e promovojnë konsumin e thjeshtë të ujit në zëvendësimin e pijeve kalorike në nëngrupe të ndryshme të popullatës, pa shqetësime të thella në lidhje me mesazhin dhe përshtatjen e strategjive”.