Lifestyle

Teknika shumë e suksesshme për transplantin e zemrës

Kur zemra e dhuruar ndal së rrahuri është sfidë që ajo të mbahet në gjendje të mirë për pacientin, jeta e të cilit mund të shpëtohet.

Kjo zemër e dhuruar ishte nisur për në spitalin Saint Vincent në Sydney.

Sipas Observatorit Global për Dhurime dhe Transplantime, gjatë vitit 2020 ishin 8 mijë e 101 transplantime të zemrës, por numri nuk i afrohet kërkesës së njerëzve që po presin për transplant.

Deri së fundmi ishte konsideruar se transplantet në të cilat zemra e dhuruar kishte pushuar së rrahuri, nuk do të kishin rezultate të mira.

Mirëpo, përdorimi i pajisjeve siç është Sistemi i Kujdesit të Organit, ua ka mundësuar mjekëve që ta ruajnë zemrën.

Gjaku i oksigjenuar vazhdimisht shkon në arteriet e zemrës me qëllim që të rrahurat të vazhdojnë edhe kur zemra është jashtë trupit të njeriut.

Deri në vitin 2017 doktorët kanë realizuar 60 mijë transplante të zemrës dhe numri i njerëzve që kanë mbijetuar së paku në dhjetë vjetët e fundit, është ngritur për 65 për qind.

Sipas autoriteteve australiane, vetëm gjatë vitit të kaluar kishte 112 transplante të zemrës në mënyrën tashmë të njohur si “Zemra në Kuti”.

Doktorët në Australi thonë se me këtë formë të transplantit është reduktuar pritja e njerëzve.

Doktori Yashutosh Joshi nga spitali i Sydneyt sqaron për mënyrën e mbajtjes gjallë të zemrës.

“Kjo mundësi riprodhon qarkullimin e gjakut në zemër, në faktin se e mban të ngrohtë. Në vend që ta vendosim zemrën në kuti me akull, e vendosim atë në mjedisin ku mundësohet riqarkullimi i gjakut të oksigjenuar. Ky gjak i ngrohtë mundëson ringjalljen e zemrës. Lejon të rrahurat e saj dhe pastaj vlerësojmë nëse mund të kryejmë teste gjaku. Sa jemi në lëvizje shohim nëse zemra mund të përdoret apo jo”.

Doktorët australianë kanë përdorur pajisjen e “Zemrës në Kuti’ në tetë vjetët e fundit dhe thonë se është ngritur numri i transplantimeve të zemrës. Në dy vjetët e fundit një e treta e zemrave kanë ardhur nga dhurimi pas vdekjes nga ndalimi i qarkullimit të gjakut.

57-vjeçari Ros Tripodi ka mbijetuar pas dhurimit të zemrës nëpërmjet teknikës “Zemra në Kuti”.

“Jam zgjuar pas 12 orësh, ndërkaq pas 18 orësh ndihesha shumë mirë. Nuk e kam menduar se do të bënin transplant të zemrës. Nuk kisha dhimbje. Pastaj infermieret erdhën dhe më thanë ‘tani e ke zemrën tënde’”.

Ai beson se suksesi në operim ka lidhje me teknikën e zemrave në kuti që kanë shkurtuar pritjen.

Në spitalin Saint Vincent të Sydneyt, Joshi dhe ekipi i tij janë duke hulumtuar për mënyra të reja që do të përmirësonin edhe më shumë transplantin e zemrës.