Lifestyle

Dieta e shëndetshme ndërlidhet me aftësi më të mira leximi te fëmijët e vegjël

Fëmijët kanë tendencë të zhvillojnë aftësi më të mira të leximit gjatë tre viteve të para në shkollë, nëse e hanë një dietë të shëndetshme, sipas një studimi të ri në Finlandë.

Hulumtuesit në Universitetin e Finlandës Lindore e përcollën përparimin e fëmijëve në lexim në mes të klasave të para dhe të treta, duke zbuluar se fëmijët me dieta më të mira kishin aftësi më të avancuara, sipas një studimi të publikuar në European Journal of Nutrition, transmeton koha.net.

Një studim i vitit 2013 hulumtoi nëse kombinimi i një diete të shëndetshme, parashkollores "cilësore" dhe leximit interaktiv mund ta përmirësojë inteligjencën, por studimi i ri e hulumtoi veçanërisht lidhjen në mes të ushqimit të mirë dhe aftësisë më të mirë të leximit.

Hulumtuesit i krahasuan dietat e fëmijëve në dietën mesdhetare, dietën e Detit Baltik, dhe rekomandimet finlandeze për dietë të shëndetshme, duke zbuluar se fëmijët të cilët qëndruan afër bazave të cilësdo prej tre dietave – ku secila prej tyre konsiderohen në përgjithësi më të shëndetshme se dietat standarde perëndimore – rezultuan më mirë në lexim dhe zhvillim të aftësive.

"Një tjetër vëzhgim i rëndësishëm është se lidhjet ndërmjet cilësisë së dietës me aftësitë e leximit ishin gjithashtu të pavarura nga shumë faktorë të përfshirë, si statusi socio-ekonomik, aktiviteti fizik, adipoziteti i trupit, dhe fitnesi fizik," tha dr. Eero Haapala, studiues në Universitetin e Finlandës Lindore dhe Universitetin Jyväskylä, në një deklaratë për shtyp.

Për këtë studim, hulumtuesit i angazhuan 161 fëmijë finlandezë mes moshave 6 dhe 8- vjeçare të cilët ishin në klasën e parë, duke i vlerësuar të dhënat e tyre 4-ditore të ushqimit duke e përdorur Mediterranean Diet Score, Baltic Sea Diet Score dhe Finnish Children Health Eating Index. Fëmijët më pas u përcollën në klasat 2 dhe 3, ku u vlerësua niveli i leximit dhe dietat përgjatë kësaj kohe.

Hulumtuesit zbuluan se dieta mesdhetare është e lidhur me të kuptuarit më të mirë të leximit në klasën e tretë, dieta e Detit Baltik ishte e lidhur me rrjedhshmëri të mirë të leximit në klasat 2 dhe 3 dhe të kuptuarit më të mirë në të tre klasat, dhe dieta finlandeze ishte e lidhur me rrjedhshmëri më të mirë në klasat 1 dhe 2 dhe të kuptuarit më të mirë në të tri klasat.

Fëmijët me rezultatet më të larta për dietat e Detit Baltik dhe dietat finlandeze gjithashtu kishin rrjedhshmëri më të mirë të leximit dhe të kuptuar më të mirë në të gjitha tri klasat sesa fëmijët me rezultate më të ulëta që aderuan në këto dieta gjithashtu.

Të tri dietat kanë nivele më të larta të perimeve, frutave dhe manaferrave, peshkut, drithërave dhe yndyrave të pangopura, dhe shumë më pak mish të kuq, sheqer dhe yndyra të ngopura sesa dietat konvencionale perëndimore.

Përveç përfitimeve të tjera të dietave të para në studimet e mëparshme, studiuesit thonë se studimi sugjeron që prindërit, shkollat, qeveritë dhe kompanitë e bëjnë një punë më të mirë duke u ofruar ushqime të shëndetshme fëmijëve.