Lifestyle

OKB: Pandemia nuk ua ndali hovin ndryshimeve klimatike

Descriptive Text

“Ky është një vit kritik për veprim klimatik”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duke shtuar se rezultatet e raportit përbëjnë “një vlerësim alarmues që tregon se sa larg shtegut të duhur ndodhemi aktualisht”

Kombet e Bashkuara kanë publikuar të enjten një raport, i cili paralajmëron se pandemia e COVID-19 nuk ka ndikuar në ngadalësimin e hovit të ndryshimeve klimatike.

Ngadalësimi ekonomik dhe izolimet për shkak të koronavirusit kanë gjeneruar vetëm një rënie të përkohshme të nivelit të emetimit të dyoksid karbonit gjatë vitit të shkuar, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Meteorologjisë (WMO), ka raportuar Deutsche Welle.

“Ishin disa që mendonin se izolimet shkaku i COVID-19 do të kishin ndikim pozitiv në atmosferë, gjë kjo që doli të mos ishte e qëndrueshme”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i WMO-së, Petteri Taalas, gjatë një konference për media.

Raporti “United in Science 2021”, i cili i përmbledh të dhënat dhe gjetjet më të fundit mbi ndryshimet klimatike, ka bërë të ditur se emetimet globale të dyoksid karbonit midis muajve janar dhe korrik në sektorët e energjisë dhe industrisë veçse janë kthyer në të njëjtin nivel apo edhe më lart sesa gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2019, kohës së para shpërthimit të pandemisë.

“Ky është një vit kritik për veprim klimatik”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duke shtuar se rezultatet e raportit përbëjnë “një vlerësim alarmues që tregon se sa larg shtegut të duhur ndodhemi aktualisht”.

WMO-ja ka bërë të ditur se ulja e nivelit të emetimeve gjatë valës së parë të COVID-19 në fillim të 2020-s paraqiste një “shkëputje të shkurtër”.

“Ulja e përgjithshme e shkallës së emetimeve më 2020 mbase e ka reduktuar ngritjen vjetore të përqendrimit atmosferik të gazeve jetëgjata serrë, por ky ndikim ishte tepër i vogël për t’u vërejtur nga aspekti i ndryshueshmërisë natyrore”, ka konstatuar raporti i cituar nga DW-ja.

Megjithëse emetimi i dyoksid karbonit i nxitur nga trafiku më 2021 ishte nën nivelet e para shpërthimit të pandemisë, përqendrimi i gazeve serrë që ka kontribuar në ngrohjen globale ka vazhduar, specifikon raporti.

“Ndodhemi ende dukshëm larg afatit për përmbushjen e synimeve të Marrëveshjes së Parisit”, ka thënë Guterres. “Përderisa nuk ndërmerren veprime të menjëhershme, të shpejta dhe të përmasave të gjera për reduktimin e emetimit të gazeve serrë, kufizimi i ngrohjes deri në 1.5 gradë celsius do të bëhet i pamundur, duke gjeneruar kësisoj pasoja katastrofale për njerëzit dhe planetin prej të cilit varemi”, ka theksuar Guterres, raporton Deutsche Welle.