Lifestyle

A është i mirë zinku për trupin e njeriut?

Descriptive Text

Nëse jeni duke kërkuar ta përmirësoni rutinën tuaj të mirëqenies, mund të mendoni për shtimin e zinkut si përbërje shtesë. Në fund të fundit, ky mineral supozohet se është thelbësor për imunitetin dhe shërimin e plagëve, ndër funksionet e tjera vitale për trupin.

Por, para se të filloni të konsumoni suplemente shtesë të zinkut, ia vlen të mësoni për lëndën ushqyese dhe duke vepruar kështu, përcaktoni nëse vërtet keni nevojë për shtimin e këtij minerali. Mësoni se si funksionon zinku në trup dhe kur duhet ta merrni atë si shtesë.

Fatkeqësisht, zinku nuk prodhohet ose ruhet nga trupi, kështu që mënyra e vetme që ju mund ta merrni vërtet këtë mineral është përmes dietës dhe suplementeve. Kështu ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Informacionin Bioteknologjik.

Edhe pse zinku nevojitet të merret vetëm në sasi të vogla, megjithatë konsiderohet një mineral esencial, çka do të thotë se është i nevojshëm për trupin në mënyrë që ta ketë funksionin e duhur. Kjo lëndë ushqyese përfshihet në më shumë se 300 reaksione biologjike thelbësore në trup. Por çfarë funksioni ka në të vërtetë?

Zinku shquhet për faktin se e forcon imunitetin duke e rregulluar funksionin e disa përbërësve kryesorë në trup, siç janë makrofagët, neutrofilet, qelizat vrasëse natyrore dhe limfocitet T. kështu, qeliza imune mund t’i luftojnë siç duhet patogjenët dhe të mbrojnë trupin nga sëmundjet.

Zinku po ashtu luan rol të rëndësishëm në funksionin e gjerë të trurit, përfshirë këtu aftësinë e të mësuarit, memorien, disponimin dhe sjelljet e njeriut. Kjo ngase zinku përfshihet në neurogjenezën, ose krijimin e neuroneve (qelizave nervore) në tru.

Ekziston edhe një tjetër përfitim i këtij minerali për trupin, që ia vlen të përmendet. Zinku ndihmon në zbërthimin e karbohidrateve në glukozë, dhe kjo është një punë mjaft e madhe sepse glukoza është burimi kryesor i energjisë për të gjitha qelizat.

Shumë ushqime përmbajnë sasi të caktuara të zinkut, por mishi i kuq, i bardhë dhe i peshkut, në veçanti konsiderohet burimi më i pasur i këtij minerali. Edhe disa ushqime bimore - përfshirë drithërat, bishtajoret, arroret, farat, së bashku me disa perime dhe fruta, ofrojnë sasi të zinkut por ato nuk janë aq të pasura me këtë lëndë ushqyese sa mishi.