Shëtitjet e shkurtra mund t’i luftojnë efektet negative të qëndrimit të ulur gjatë gjithë ditës

Shëtitjet e shkurtra mund t’i luftojnë efektet negative të qëndrimit të ulur gjatë gjithë ditës

14 shkurt 2017 15:46

Shumica e vendeve të punës janë mjedise ku duhet qëndruar ulur, dhe shumica e njerëzve i kalojnë ditët e tyre duke i përdorur kompjuterët, ose të ulur pranë tavolinave, gjë që studiuesit thonë se është e keqe për shëndetin.

Derisa disa studime të mëparshme e kanë theksuar këtë, hulumtuesit në Universitetin e Missourit kanë zbuluar në një studim të vogël se ecja për vetëm 10 minuta pas periudhave të gjata të qëndrimit ulur mund t’i luftojë efektet negative në sistemin e enëve të gjakut.

"Është lehtë për të gjithë ne që të konsumohemi nga puna dhe ta humbasim ndjenjën e kohës, duke ia nënshtruar veten periudhave të gjata të pasivitetit," tha dr. Jaume Padilla, profesor asistent i të ushqyerit dhe fiziologjisë së ushtrimeve në shkollën e mjekësisë në Universitetin e Missourit, në një njoftim për shtyp.

"Megjithatë, studimi ynë ka gjetur se kur qëndroni ulur për gjashtë orë radhazi, ose pjesën më të madhe të një dite pune tetorëshe, qarkullimi i gjakut në këmbët tuaja do të zvogëlohet në masë të madhe."

Hulumtuesit kanë punuar me 11 meshkuj të shëndetshëm, duke e matur funksionin e tyre vaskular para dhe pas një periudhe të zgjatur të qëndrimit ulur. Ata zbuluan se pas 6 orëve të qëndrimit të vazhdueshëm në pozitë të ulur, qarkullimi i gjakut në popliteal, një arterie në pjesën e poshtme të këmbës, ishte reduktuar ndjeshëm.

Pasi që zbuluan që qarkullimi i gjakut ishte reduktuar në pjesën e ulët të këmbëve të meshkujve, hulumtuesit kërkuan prej secilit prej tyre që të ecin për 10 minuta. Ecja me ritëm të vetë-caktuar e riktheu qarkullimin e dëmtuar vaskular të gjakut dhe e përmirësoi qarkullimin e gjakut.

Studiuesit e pranojnë që ndryshimi i një jetese themelore moderne të të qëndruarit ulur nuk mund të jetë e mundur, prandaj planifikojnë të zhvillojnë studime të mëtejshme më të mëdha për të eksploruar nëse periudha të shkurtra të ecjes mund t’i ndryshojnë efektet e gjithë atyre qëndrimeve në pozitë të ulur, transmeton Koha.net.

"Studimet kanë treguar se qëndrimi i reduktuar në pozitë të ulur mund të çojë në shëndet më të mirë metabolik dhe kardiovaskular", tha Padilla.

"Megjithatë, nevojiten më shumë hulumtime për të përcaktuar nëse periudhat e përsëritura të funksionit të reduktuar vaskular me qëndrime të zgjatura në pozitë të ulur çojnë në komplikime afatgjata të përsëritura vaskulare." 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme