Lifestyle

Depresioni lidhet me zhvillimin e Parkinsonit

Depresioni mund të jetë një tregues i hershëm i sëmundjes Parkinson, apo një faktor rreziku për të, thanë studiuesit pasi që i kishin studiuar të dhënat e pacientëve në një periudhë prej më shumë se 20 vjetësh, transmeton koha.net.

Studimi zbuloi që personat me depresion kishin 50 për qind më shumë të ngjarë se ata pa të do të preken nga sëmundja e Parkinsonit.

Hulumtuesit në Suedi filluan duke i ekzaminuar të dhënat e më shumë se 140,000 personave në atë vend dhe të cilët ishin mbi moshën 50-vjeçare në vitin 2005 dhe u diagnostikuan me depresion mes viteve 1987 dhe 2012, duke e krahasuar secilin prej tyre me një grup kontrolli prej tre personave të cilët nuk ishin diagnostikuar me depresion, për një total prej 421.718 personash në grupin e kontrollit.

Të dhënat treguan se gjatë periudhës 26-vjeçare, 1,485 njerëz, ose rreth 1.1 për qind e njerëzve të diagnostikuar me depresion më vonë u prekën nga Parkinsoni, ndërsa 1,775 njerëz, ose rreth 0.4 për qind e njerëzve që nuk kishin depresion përfunduan me Parkinson. Hulumtuesit gjithashtu nuk e gjetën asnjë lidhje në mes të një vëllai/motre me depresion dhe një me Parkinson.

"Ky konstatim na jep më shumë dëshmi se këto dy sëmundje janë të lidhura," tha Peter Nordstrom, profesor në Departamentin e Mjekësisë dhe Rehabilitimit të Komunitetit në universitetin Umea, në një njoftim për shtyp. "Nëse sëmundjet ishin të pavarura nga njëra-tjetra, por të shkaktuara nga të njëjtët faktorë gjenetikë apo faktorë të hershëm të mjedisit, atëherë ne do të prisnim ta shihnim grupin e dy sëmundjeve së bashku tek vëllezërit e motrat, por kjo nuk ndodhi."

Studiuesit zbuluan gjithashtu se depresioni më i rëndë ishte i lidhur me gjasa më të larta të zhvillimit të Parkinsonit. Ata që ishin hospitalizuar një herë për depresion kishin rreth 3.5 për qind më shumë gjasa të preken nga Parkinsoni, ndërsa ata që ishin hospitalizuar 4 ose 5 herë kishin 40 për qind më shumë gjasa që të përfundojnë me Parkinson.

Lidhjet mes depresionit dhe Parkinsonit nuk ndryshuan kur u morën parasysh gjërat si alkoolizmi apo lëndimet për ata që u diagnostikuan me depresion.

Nordstrom tha për Live Science se pavarësisht rezultateve të studimit, numri i personave me depresion të cilët preken nga Parkinsoni është ende shumë i vogël, dhe se nevojiten më shumë hulumtime për ta kuptuar lidhjen e mundshme në mes të këtyre dy sëmundjeve. Është e mundur, tha ai, që mënyrat se si ndikon depresioni në tru disi mund ta parakonfigurojnë trurin për Parkinson. Ky studim është publikuar në Neurology.