Lifestyle

Studimi sugjeron që baballarët më të moshuar mund të prodhojnë djem më të zgjuar

“Tash një kohë kemi ditur për pasojat negative të moshës së avancuar të babait, por tani kemi dëshmuar se këta fëmijë mund të vazhdojnë të kenë perspektivë më të mirë në edukim dhe karrierë”, tha autorja e studimit Magdalena Janecka.

Në një zbulim i cili mund t’i qetësojë paksa baballarët më të moshuar rreth perspektivave të punës së djemve të tyre, një studim i ri tregon se këta fëmijë kanë më shumë gjasa të jenë “të dhënë pas teknologjisë”.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se fëmijët e etërve më të moshuar kanë shanse më të larta të preken nga autizmi dhe skizofrenia, por ky studim i nxjerr në pah përfitimet e të qenit djalë i një babai më të moshuar.

“Tash një kohë kemi ditur për pasojat negative të moshës së avancuar të babait, por tani kemi dëshmuar se këta fëmijë mund të vazhdojnë të kenë perspektivë më të mirë në edukim dhe karrierë”, tha autorja e studimit Magdalena Janecka, transmeton Koha.net. Ajo është studiuese e doktoraturës në Qendrën e Autizmit Seaver në Shkollën e Mjekësisë Icahn në Mount Sinai në New York City.

Studiuesit zbuluan se djemtë e lindur nga baballarët më të vjetër janë më inteligjentë, më të fokusuar në atë që u intereson atyre dhe janë më pak të shqetësuar që të përshtaten me të tjerët. Të gjitha këto cilësi që e ofrojnë një avantazh në shkollë dhe karrierë.

Studimi i përfshiu 15.000 dyshe binjakësh, të cilët i përfunduan testet online në moshën 12-vjeçare për t’i matur tiparet “e ngjashme me personat e dhënë pas teknologjisë”, duke përfshirë IQ jo-verbale, fokusin dhe tërheqjen nga shoqëria. Prindërit e tyre gjithashtu dhanë informacione rreth tyre. Duke i përdorur këto të dhëna, hulumtuesit e krijuan një “indeks të personave të dhënë pas teknologjisë” për secilin fëmijë. Në përgjithësi, djemtë e etërve më të moshuar kishin rezultate më të larta në këtë indeks.

Studimi nga King's College London dhe Qendra për Autizëm Seism, u publikua më 20 qershor në revistën Translational Psychiatry.

Janecka sugjeroi se baballarët më të moshuar kishin më shumë të ngjarë të jenë më të avancuar në karrierën e tyre dhe të jenë më të pasur se baballarët e rinj. Si të tillë, fëmijët e tyre mund të rriten në mjedise më të pasuruara, me qasje në shkolla më të mira, përcjell Koha.net.

Hulumtuesit gjithashtu dyshojnë se disa gjene të lidhura me tiparet e ngjashme me personat e dhënë pas teknologjisë janë gjithashtu të lidhura me autizmin dhe se ato mund të gjenden më shumë tek baballarët e moshuar.

“Kur fëmija lind vetëm me disa prej këtyre gjeneve, ata mund të kenë më shumë të ngjarë të kenë sukses në shkollë”, tha Janecka në një njoftim për shtyp të Kings College. “Megjithatë, me një “dozë” më të madhe të këtyre gjeneve, dhe kur ka faktorë të tjerë të rrezikut, ata mund të përfundojnë me një predispozicion më të lartë për autizëm. Kjo mbështetet nga hulumtimet e fundit që tregojnë se gjenet për autizëm janë gjithashtu të lidhura me IQ më të lartë”.