Lifestyle

Çfarë ndodh me zemrën tuaj kur pini çaj?

Descriptive Text

Ekzistojnë me dhjetëra studime që sugjerojnë se ulja e rrezikut të sëmundjes së zemrës, mund të jetë aq e lehtë dhe aromatike falë konsumimit të llojeve të larmishme të çajeve, si çaji i zi, jeshil, i bardhë apo edhe çajet bimore.

Pse është i mirë çaji për zemrën e njeriut?

Për të kuptuar pse pirja e çajit mund të jetë e mirë për zemrën, atëherë duhet të kuptojmë se si presioni i gjakut ndikon në shëndetin e zemrës suaj. Presioni i lartë i gjakut, i quajtur hipertension, dëmton muret e arterieve duke i bërë ato të ngurta dhe duke çuar edhe në bllokimin e tyre.

Sa më i lartë të jetë presioni i gjakut, aq më shumë rrezik keni për t’u prekur nga sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të zemrës apo goditja në tru. Kur enët e gjakut nuk janë elastike sa duhet, rrjedha e gjakut dhe oksigjenit nga dhe në zemrën tuaj zvogëlohet, duke çuar në dhimbje gjoksi dhe ndoshta sulm në zemër ose dështim të funksionit të këtij organi vital.

Hulumtimet tregojnë se konsumimi i lartë i çajit rezulton me një zemër më të shëndetshme, dhe zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e ndryshme. Kjo sepse çajet përmbajnë përbërje të dobishme bimore të njohura si polifenole, të cilat veprojnë si antioksidantë në trup.

Çaji dhe metabolitët e tij, si polifenolët, luajnë një rol kyç në relaksimin e arterieve duke e zvogëluar inflamacionin dhe duke e rritur aktivitetin e oksidit të azotit në endotelin, shtresën e qelizave që shtrihen në brendësi të enëve të gjakut. Në këtë mënyrë përmirësohet qarkullimi i gjakut në trupin e njeriut.

Çaji gjithashtu mund ta ulë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru, duke e zvogëluar lipoproteinën me densitet të ulët, ndryshe e njohur si kolesterina e keqe e cila mund të mblidhet në arterie dhe të formojë pllaka.