Efekti i manjolës në luftën kundër kancerit

Efekti i manjolës në luftën kundër kancerit

28 shkurt 2017 14:14

Manjolat çmohen për lulet e veta të mëdha, të larmishme dhe aromatike. A përmban pema tërheqëse dhe e bukur një luftëtar të fuqishëm kundër kancerit?

Po, në bazë të një numri në rritje të studimeve, duke përfshirë edhe studimin nga VA dhe nga Universiteti i Alabama në Birmingham, i cili është tani në internet në revistën “Oncotarget”.

Studimi u fokusua në kanceret e qelizës squamoze të kokës dhe qafës, një kërcënim ky për ata që konsumojnë duhan dhe alkool. Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit, të paktën 3 në 4 kancere të kokës dhe qafës shkaktohen nga konsumimi i duhanit dhe alkoolit. Kanceret kanë vetëm 50 për qind mbijetesë, duke i vrarë rreth 20.000 amerikanë çdo vit.

Formula honokiol - kimike C18H18O2, si një nga përbërësit më të mëdhenj aktiv në ekstraktin e manjolës, fitokimikati është përdorur për shekuj në mjekësinë tradicionale kineze dhe japoneze për ta trajtuar ankthin dhe çrregullimet e tjera. Kohët e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar se ky përbërës, që gjendet në lëvoren e manjolës, është një kundërshtar dinak dhe i gjithanshëm i kancerit.

Ai duket se shfrytëzon shumë rrugë biokimike për t’i tkurrur tumoret e llojeve të ndryshme, apo për ta parandaluar rritjen e tyre.

Shkencëtarët nga Alabama kanë treguar tashmë se si vepron ai kundër kancereve të kokës dhe qafës: Ai e bllokon një proteinë të quajtur receptor të faktorit të rritjes epidermale, ose EGFR. Hulumtimet e para kanë gjetur se pothuajse të gjitha qelizat e kancerit të kokës dhe qafës e shfaqin një tepri të proteinave, dhe kjo është sugjeruar në literaturë si një objektiv i mundshëm.

Ekipi VA-UAB thotë se, bazuar në studimet laboratorike, honokioli lidhet më fort me EGFR se që e bën këtë ilaçi gefitinib (i cili shitet si Iressa), i cili përdoret zakonisht për t’i trajtuar kanceret e kokës dhe qafës, transmeton Koha.net.

Hulumtuesit e testuan honokiolin në linjat qelizore që rrjedhin nga kanceret e njeriut në gojë, laring, gjuhë dhe faring. Në të gjitha rastet, bima i ndaloi qelizat jonormale. Ekipi gjithashtu e testoi atë kundër tumoreve të implantuar në minj, me rezultate të ngjashme.

Autori i lartë dr. Santosh K. Katiyar dhe kolegët e tij shkruajnë: "Përfundimisht honokioli duket të jetë një fitokimikat i vogël tërheqës bioaktiv molekular për menaxhimin e kancerit të kokës dhe qafës i cili mund të përdoret i vetëm ose në kombinim me ilaçe të tjera terapeutike në dispozicion."

Katiyar ka publikuar gjerësisht në të kaluarën lidhur me substanca të tjera natyrore që veprojnë kundër tumoreve, sidomos kancerit të lëkurës. Një pjesë e punës së tij të fundit është fokusuar në komponimet në çajin e gjelbër, për shembull, dhe proantocianidinet e farave të rrushit.

legjenda: Honokioli, një komponent që rrjedh nga lëvorja e manjolës, rezulton të jetë një luftëtar i fuqishëm kundër kancerit në studimet laboratorike. (Michael Warren via Wikimedia Commons)

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme