Lifestyle

Një e treta e të shëruarve nga COVID-19 pësojnë çrregullime neurologjike e mendore

Studiuesit, të cilët kanë kryer këtë analizë, kanë bërë të ditur se nuk dihet qartë se si virusi është i ndërlidhur me gjendjet psikiatrike që përfshin ankthin dhe depresionin, por kanë shtuar se rastet e tilla ishin diagnozat më të zakonshme në mesin e 14 çrregullimeve që i kanë analizuar

Një në çdo tre persona të shëruar nga sëmundja COVID-19, të përfshirë në një studim me më shumë se 230.000 pacientë amerikanë, janë diagnostikuar me çrregullime psikiatrike apo mendore përbrenda një periudhe kohore prej gjashtë muajsh, në atë që sugjeron se pandemia mund të shpjerë drejt një vale problemesh mendore dhe neurologjike, kanë bërë të ditur shkencëtarët të mërkurën.

Studiuesit, të cilët kanë kryer këtë analizë, kanë bërë të ditur se nuk dihet qartë se si virusi është i ndërlidhur me gjendjet psikiatrike që përfshin ankthin dhe depresionin, por kanë shtuar se rastet e tilla ishin diagnozat më të zakonshme në mesin e 14 çrregullimeve që i kanë analizuar, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Rastet post-COVID të sulmit në tru, demencies dhe çrregullimeve të tjera neurologjike ishin të rralla, por megjithëkëtë të rëndësishme, sidomos mes atyre që kishin vuajtur nga simptomat e rënda të COVID-19.

“Ndonëse rreziqet individuale për shumicën e çrregullimeve janë të vogla, ndikimi mes gjithë popullsisë mund të jetë substancial”, ka thënë Paul Harrison, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Oxfordit, i cili ka qenë bashkëkryesuesi i studimit.

Max Taquet, gjithashtu një psikiatër në Oxford që ka bashkëpunuar për këtë studim me Harrisonin, ka theksuar se studimi nuk ka qenë në gjendje që t’i ekzaminojë mekanizmat e përfshirë biologjikë dhe psikologjikë, por ka thënë se një studim urgjent është i nevojshëm për identifikimin e tyre “me qëllim të parandalimit apo trajtimit”.

Ekspertët shëndetësorë kanë shprehur shqetësim përherë më të madh për shfaqjen e dëshmive për rrezik të shtuar nga çrregullimet mendore dhe në tru mes pacientëve që i kanë mbijetuar COVID-19. Një studim i mëhershëm i ndërmarrë nga studiuesit e njëjtë kishte zbuluar vitin e shkuar se 20 për qind e të shëruarve nga sëmundja COVID-19 ishin diagnostikuar me një çrregullim psikiatrik brenda tre muajsh.

Image

Gjetjet e reja, të publikuara në revistën shëndetësore “Lancet Psychiatry”, kanë analizuar të dhënat shëndetësore të 236.379 pacientëve me COVID-19, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kanë zbuluar se 34 për qind ishin diagnostikuar me sëmundje neurologjike apo psikiatrike përbrenda gjashtë muajsh.

Çrregullimet ishin theksueshëm më të zakonshme mes pacientëve me COVID-19 sesa në mesin e atyre që ishin shëruar nga gripi apo ndonjë tjetër infeksion respirator gjatë të njëjtës periudhë, kanë thënë shkencëtarët, duke sugjeruar se COVID-19 ka pasur ndikim specifik.

Ankthi, me 17 për qind, dhe çrregullimet e humorit, me 14 për qind, ishin çrregullimet më të zakonshmet dhe nuk është specifikuar të kenë pasur lidhje me faktin se sa të buta apo të rënda kanë qenë gjendjet e pacientëve të infektuar me koronavirus.

Në mesin e atyre që ishin shtruar në repartin e përkujdesjes intensive shkaku i sëmundjes rëndë nga COVID-19, shtatë për qind kanë pasur sulm në tru brenda gjashtë muajsh, dhe pothuajse 2 për qind ishin diagnostikuar me demencë.

Ekspertë të pavarur kanë thënë se gjetjet janë shqetësuese.

“Ky është një studim shumë i rëndësishëm. Konfirmon përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se COVID-19 ndikon në tru dhe në mendje, në të njëjtën masë”, ka thënë Simon Wessely, i cili është në krye të Departamentit për psikiatri në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

“Ndikimi që COVID-19 është duke pasur në shëndetin mendor të individëve mund të jetë i rëndë”, ka thënë Lea Milligan, shefe ekzekutive e organizatës bamirëse kërkimore “MQ Mental Health”. “Kjo gjë është duke i kontribuuar nivelit veçse në ngritje të sëmundjeve mendore dhe kërkon studime urgjente të mëtutjeshme”.