Lifestyle

Historia e Borana Dishës - mposhti sëmundjen e kancerit me kurajo

Betejat më të vështira në jetë ndonjëherë kthehen në fitore, që i japin jetës një rrjedhë krejt tjetër.

Nuk është as film Hollywood-ian, as ndonjë skenar i ndonjë filmi të ardhshëm, historia e 24 vjeçares nga Tirana, Borana Disha e cila deri para 6 muajsh u diagnostikua me një sëmundje të rrallë (kancer -Limfoma Non-Hodkgin tipi folikular).

Ajo ka mbaruar studimet për inxhinieri gjeomjedisi dhe ishte 23 vjeçe kur mori vesh për sëmundjen.

Ky moment i shërbeu asaj që të besojë tek mundësia e dytë, për të inkurajuar të gjithë ata që vuajnë nga kjo sëmundje, duke i dhënë kurajo e forcë se edhe ata mund t’ia dalin sikurse Borana, raporton ATSH.

Me një karakter të fortë dhe optimiste, ajo mori vesh për sëmundjen krejt papritur, nga një dhimbje që i nisi në veshka, çka e detyroi të bënte disa analiza. Pas vizitës në Shqipëri u nis për një tjetër vizitë në Francë për të shkuar më pas në Belgjikë (këtu edhe u kurua).

E sigurt që gjithçka do të shkonte mirë, menjëherë pasi vihet në dijeni për sëmundjen që kishte, Borana nuk lëshoi as lot dhe krejt e buzëqeshur tha “Unë do ta mund këtë sëmundje”.

Ajo pati mbështetjen e familjarëve, të afërmve, miqve të cilët i dërgonin mesazhe inkurajimi, letra apo kartolina. Ndërkohë që asnjëherë nuk përdori as paruke dhe as ndonjë shami për të mbuluar rënien e flokëve. Borana dëshironte që të gjithë të shihnin fitoren e saj, edhe pse në kohë kurimi.

Marrëdhënia miqësore që vendosi me mjekun bëri që ecuria e sëmundjes ti komunikohej gjithmonë vetë Boranës, sepse ajo donte që çdo gjë të komunikohej me të së pari. Ajo u kurua në spitalin AZ Sint-Jan Brugge në Belgjikë dhe tërë kurimi i saj u ndoq nga një nga 10 mjekët më mirë në gjithë botën, nga mjeku Domenik Salleslag.

Intervista e plotë me Borana Dishën:

Ajo tregon momentin sesi mori vesh për sëmundjen…

“Ka qenë komplet e papritur. Kisha dhimbje në shpinë dhe mendoja se e kisha nga lodhja. Ishte periudhë shumë stresuese për mua. Deri diku e nënvlerësova se mendova nga lodhja e punës. Shkova për të bërë një kontroll të thjeshtë. Nisa me kontrollin e veshkave. Një nga doktoreshat më tha që isha pak e zbehtë dhe më duhej të bëja një analizë gjaku. Analizat nuk dolën aspak mirë.

Po atë ditë, shkova tek poliklinika për të bërë ekon e veshkës dhe aty pashë që doktori u shqetësua pak. Ai u shqetësua por nuk më tha asgjë ndërkohë më la një tjetër takim të nesërmen. U konsultua me një doktor tjetër dhe më la takim tek hematologu. Aty kuptova se diçka nuk shkonte. Pas kontrollit, hematologu më tha se për momentin është pikasur vetëm një gjëndër që është aorta afër veshkës. Ky ishte shansi i mirë i imi sepse kjo më kishte shkaktuar dhimbjen, çka më bëri të zbuloja më pas sëmundjen. Më dha një mjekim për një javë.

Për tre javë ishin përhapur gjëndrat në qafë. Pas 3 javësh, vendosa t’i them të familjarëve pasi nuk doja ti shqetësoja. Pas biopsisë, bëra ekzaminimin nëse nga kjo sëmundje ishte prek kocka dhe aty mora vesh që ishte prekur. Me pas shkova për vizitë në Francë e më pas në Belgjikë, ku edhe vendosa që të kurohesha.

Si ishte marrëdhënia jote me mjekun në Belgjikë?

Marrëdhënia miqësore që vendosa me mjekun bëri që ecuria e sëmundjes të më komunikohej gjithmonë mua së pari, më pas prindëve dhe motrave të mia. Mjeku më tha që isha me fat, për shkak se kjo sëmundje është e fshehtë dhe mund të dallohej vetëm në fazën e katërt, ndërsa për mua ishte që në fillim. Ishte një moment që e kujtoj ende sot. Mjeku më komunikoi që kimioterapia do më shkaktontë rënien e flokëve. Me qetësinë më të madhe i thashë: ok, ska asnjë problem. I çuditur për shkak të qetësisë time, ai kthye nga të afërmit e mi të pranishëm dhe i tha: Më fal, por a i keni treguar se çfarë sëmundje ka Bora, sepse nëse nuk i keni tregur është gabim. Ajo duhet të dijë të vërtetën.

A ka pasur një moment dyshimi apo frike gjatë kohës së kurimit për jetën tënde?

Jo. Asnjëherë. Madje mund të them më mirë që e kalova unë këtë sëmundje sepse isha e fortë për ta përballuar . Më mirë që kam qenë unë sesa një tjetër që nuk do e përballonte dot këtë sëmundje. Në fillim kur mora vesh për sëmundjen klikova në internet për të lexuar diçka më shumë për sëmundjen. Por, ajo çka lexova ishte vetëm sa ishte numri i të vdekurve. Ndaj, që nga ai moment deri në fund të kimioterapive nuk kam lexuar asnjë informacion.

Çfarë ka ndryshuar tek ty pas kësaj sëmundje?

Është totalisht një mundësi e dytë. Kjo sëmundje më shërbeu të kuptoj që disa gjëra janë shumë të vogla dhe ne jemi shqetësuar më kot . Ka gjëra shumë më të mëdha që duhet ti ruash energjitë.

Nëse më parë nuk e shihja të arsyeshme ti shkruaja dikujt që kalonte një sëmundje të tillë, tani jam shumë e ndjeshme. I kam shkruar njerëzve që e dinë që vuajnë nga kjo sëmundje, por që unë nuk i njoh. Askush nuk e kupton një njeri që ka këtë sëmundje përveçse ai që e ka përjetuar vetë. Jam mëse gatshme të inkurajoj njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje, që ata të kuptojnë sesa të fortë të bëjnë situata kaq të vështira e të bën të kuptosh se cilat gjëra kanë më shumë rëndësi në jetën tënde.

Motra më e madhe e saj, Greta, besimtare e krishterë tregon mbështetjen e madhe që miqtë dhanë për Boranën.

“Ishte një byrzylyk që bora e kishte shumë qef dhe e ka mbajtur gjatë kimioterapisë. Në të shkruhej “Flourish”, pra lulëzo. Në kartolinë shkruhej se ti nuk mund të ndryshosh situatën, thjesht lulëzo aty ku je dhe pjesën tjetër lërja Zotit. Unë personalisht lutesha: o Zot të lutem bëj që jo vetëm të shërohet por edhe fytyra e saj të shndërrij gjatë kimios. Kështu ka ndodhur, unë shihja fytyrën e saj, ajo rrezëllinte. Madje shumë pacientë kishin dëshirë ta takonin për shkak se ajo buzëqeshte gjithmonë”.

Ndërsa për motrën tjetër, Malvinën kimioterapitë dukeshin sikur Borana shkonte në një park lojrash për tu argëtuar.

“Ditën e parë të trajtimin isha e pranishme nga mëngjesi deri pasdite. Bora shkonte në spital si në një park lojrash për tu argëtuar, nuk kishte kurrë frikë në sy, qeshte gjithë kohën. Patjetër që gjithçka do shkonte mirë, këtë se dyshoja kurrë, por kjo ishte hera e parë e trajtimit që si një lajm i mirë, që këtej e tutje gjërat do shkojnë vetëm për mirë”.

Bora ka një mesazh për të gjithë: Njerëzit që vuajnë nga sëmundje të tilla nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një buzëqeshje. Nuk duhet të dorëzohen kurrë sepse fitoret rrëmbehen, nuk dhurohen!