Lifestyle

Të diturat dhe të paditurat mbi vaksinën e “AstraZenecas”

Një sërë shtetesh, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Francën, Danimarkën, Irlandën dhe Tajlandën, kanë pezulluar gjatë ditëve të fundit përdorimin e përkohshëm të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë “AstraZeneca”, si pasojë e raportimit të disa rasteve të mpiksjes së gjakut mes personave që e kanë marrë një dozë të kurës.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë insistuar se nuk ekzistojnë të dhëna se është vaksina ajo që ka shkaktuar mpiksje dhe se qytetarët duhet që të vazhdojnë me vaksinimin. Në vijim janë disa prej atyre që dihet dhe atyre që nuk dihen lidhur me vaksinën dhe problematikën e raportuar.

Çfarë ka ndodhur?

Danimarka është bërë vendi i parë që ka ngurruar në përdorimin e vaksinës së “AstraZenecas” javën e kaluar, pas raportimeve për raste të mpiksjes së gjakut mes disa personave, përfshirë edhe një rast të vdekjes vetëm pas 10 ditë pas injektimit. Pezullimi i përdorimit do të vazhdojë për të paktën dy javë, ndonëse ende nuk është zbuluar nëse vaksina është përgjegjëse për këtë gjë.

Danimarkën në këtë vendim e ndoqën edhe Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Tajlanda dhe Kongoja. Sipas autoriteteve norvegjeze, katër persona nën moshën 50-vjeçare, të cilët e kishin marrë vaksinën, kanë raportuar numër të ulët të trombociteve, gjë kjo që ka mundur të sjellë gjakrrjedhje të madhe. Kurse Irlanda dhe Holanda kanë njoftuar të dielën se do ta ndalojnë përkohësisht përdorimin e vaksinës. Megjithëkëtë, goditjen më të rëndë “AstraZenecas” ia dhanë Gjermania, Franca dhe Italia, tri fuqitë kryesore të Bashkimit Evropian. Por, megjithëkëtë, disa vende të tjera ende po e vazhdojnë përdorimin e saj.

Duke iu kundërpërgjigjur dyshimeve rreth vaksinës, kompania prodhuese ka bërë të ditur se i ka rishikuar me kujdes të dhënat prej 17 milionë të vaksinuarve në Evropë dhe se sipas tyre “nuk ka dëshmi për rritjen e rrezikut” nga mpiksja e gjakut në çfarëdo grupmoshe apo gjinie.

A ka ndonjë dëshmi se vaksina është përgjegjëse?

Dëshmitë megjithatë nuk ekzistojnë. Sipas Agjencisë Evropiane të Ilaçeve “nuk ekziston ndonjë tregues se vaksinimi i ka shkaktuar këto simptoma”. Britania e Madhe, vendi që ka pranuar më së shumti vaksina të “AstraZenecas”, gjithsej 11 milionë doza, ka evidentuar 11 raste të mpiksjes së gjaku, por lidhja me vaksinën as aty nuk është dëshmuar.

Sipas mjekëve, shkaku se vaksinat i kanë marrë fillimisht personat më të ndjeshëm e bën të mundur faktin se këta persona të kenë pasur veçse probleme të mëparshme. Ekspertët kanë bërë të ditur se është vështirë të vendoset nëse vaksina është përgjegjëse.

Pse ndaloi procesi i vaksinimit?

Kurdo që shpërndahen vaksinat, shkencëtarët presin që të raportohen probleme serioze shëndetësore apo vdekje – thjesht ngase me miliona njerëz i marrin dhe pritet që diku të ketë ndonjë problem. Pjesa dërrmuese e problemeve nuk është lidhur me vaksina, por sa i përket kësaj kundër COVID-19, shkencëtarët duhet të hetojnë çfarëdo mundësie, për shkak se ato ende janë eksperimentale.

Image

Të tilla konsiderohen për shkak se nuk ka të dhëna afatgjata për to, meqë janë krijuar vitin e kaluar dhe në kohë rekord të shpejt.

A po përballet “AstraZeneca” me të tjera probleme?

Vaksina është miratuar për përdorim te të rriturit në më shumë se 50 vende dhe është dëshmuar e sigurt dhe efektive në studimet e bëra në Britani, Brazil dhe Afrikë të Jugut. Mirëpo, disa vende kanë shprehur shqetësimin mbi të dhënat e publikuara, të cilat e kanë vënë në pikëpyetje efikasitetin e kurës.

Britania e Madhe e ka autorizuar vaksinën, duke u bazuar në rezultatet e përgjysmuara, sipas të cilave kura ishte 70 për qind efektive ndaj sëmundjes. Por këto rezultate ishin mjegulluar nga gabimet në prodhim, të cilat ndikuan që disa pjesëmarrës ta merrnin vetëm gjysmën e një doze. Kur u rekomandua për licencim, Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka vlerësuar se efikasiteti i vaksinës ishte 60 për qind. Edhe të dhënat rreth mbrojtjes që u ofron të moshuarit ishin të paplota, gjë kjo që ndikoi që disa vende evropiane të mos e përdornin fillimisht tek të moshuarit.

“Të gjitha të dhënat që i kemi parë rreth vaksinës së ‘AstraZenecas’ sugjerojnë se është shumë e sigurt dhe është duke i shpëtuar njerëzit nga vdekja”, ka thënë mjeku Paul Hunter, profesor i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore. “Por ky mund të jetë më shumë problem i perceptimit, pasi që sa herë që dëgjojmë se ka probleme me vaksina, e dëgjojmë emrin e ‘AstraZenecas’ më pas”.

Çfarë duhet bërë sipas ekspertëve?

Agjencia Evropiane e Ilaçeve si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë – rregullatorë në disa vende – kanë njoftuar se njerëzit duhet që të vazhdojnë së imunizuari dhe se rreziku nga vaksinimi e tejkalon çfarëdo dëmi potencial.

“Siguria e publikut vjen gjithmonë në radhë të parë”, ka bërë të ditur rregullatori britanik. “Njerëzit duhet të shkojnë dhe të vaksinohen kundër COVID-19, kur diçka e tillë të kërkohet nga ta”.