Lifestyle

Dieta më e mirë për kujtesë të shëndoshë

Ekzistojnë një mori përfitimesh shëndetësore që lidhen me të ngrënit në stilin mesdhetar, por tani një studim i ri sugjeron se ndjekja e kësaj diete ndihmon gjithashtu në shëndetin mendor të njeriut.

Në studimin e publikuar në revistën “Experimental Gerontology”, hulumtuesit i kanë ndjekur më shumë se 500 njerëz të moshës mbi 70-vjeçare, disa prej së cilëve kishin mendje të shëndoshë, kurse të tjerët që vuanin nga demenca.

Pjesëmarrësit në këtë studim iu nënshtruan testeve të ndryshme të kujtesës, dhe shprehitë e tyre të të ngrënit u vlerësuan gjithashtu për një afat kohorë një vjeçar. Atyre gjithashtu u janë bërë skanime në rezonancë magnetike, për t’iu dhënë njohuri të strukturës së trurit.

Ata persona që ndiqnin dietën e quajtur “Mediterranean Diet”, e cila është e pasur me perime, fruta, drithëra integrale, peshk dhe yndyra të shëndetshme si vaji i ullirit, kishin rezultate më të larta të funksionit të njohjes. Kjo vlente sidomos për ata persona që konsumonin sasi të vogël të mishit të kuq, dhe më shumë perime të gjelbra si sallata, lakra dhe spinaqi.

Në të kundërtën, ata që hanin më shumë ushqime të përpunuara, kishin tendenca për funksion më të dobët të kujtesës.

Kjo nuk është hera e parë që dieta mesdhetare është konstatuar e mirë për shëndetin. Në disa studime të mëhershme është vërtetuar se mënyra e ushqyerjes me perime dhe produkte të pasura me proteina e vitamina, e ngadalëson procesin e humbjes së kujtesës si dhe të moshuarit janë më pak të rrezikuar nga zhvillimi i sëmundjes Alzheimer.

Ky rezultat vjen për shkak si ky lloj i ushqimit është i pasur me antioksidantë, vitamina dhe minerale, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në uljen e inflamacionit.

Pra nuk duhet harruar se ajo çfarë hani është shumë me rëndësi për shëndetin, sidomos për personat në moshë më të shtyrë.