Lifestyle

Studiuesit, pro vonesës së dozës së dytë të vaksinës së “Pfizerit”

Këtë gjë, shkencëtarët Danuta Skowronski dhe Gaston De Serres e kanë bazuar në gjetjen se doza e parë e vaksinës së kësaj kompanie është dëshmuar mjaftueshëm efikase për shtyrjen e afatit të së dytës

Londër, 18 shkurt (AP) – Doza e dytë e vaksinës kundër COVID-19, e kompanisë farmaceutike “Pfizer”, mund të vonohet me qëllim të mbulimit të të gjitha grupeve me prioritet, pasi që doza e parë është dëshmuar si shumë efektive, kanë thënë të enjten dy studiues nga Kanadaja, nëpërmjet një letre publikuar në revistën shkencore “New England”.

Vaksina kishte një shkallë efikasiteti prej 92.6 për qind pas marrjes së dozës së parë, kanë thënë Danuta Skowronski dhe Gaston De Serres, bazuar në analizat e dokumenteve që janë dorëzuar nga kompanitë prodhuese të ilaçeve në Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA).

Këto gjetje ishin të njëjta edhe për sa i përket efikasitetit të dozës së parë të vaksinës së kompanisë “Moderna”, që sillej në rreth 92 për qind, thuhet në letrën e shkencëtarëve.

Në përgjigjen e vet, “Pfizeri” ka bërë të ditur që koha e alternative e dozimit të vaksinave nuk është vlerësuar ende dhe se vendimin lidhur me këtë duhet ta marrin autoritetet shëndetësore.

Disa vende, të cilat janë ballafaquar me mungesë të furnizimit me vaksina, janë duke rishikuar format dhe sasisë e dozave që ndryshojnë nga ajo se si vaksinat ishin testuar në eksperimentet klinike.

Ekzistojnë dallime në strategjitë e vaksinimit, me ç’rast disa studiues kanë argumentuar se urgjenca që ka shkaktuar pandemia kërkon fleksibilitet, ndërsa disa të tjerët e kundërshtojnë largimin nga qasjet e bazuar në të dhëna, për shkak të përshtatshmërisë.

Skowronski dhe De Serres kanë paralajmëruar se mund të mos ketë mjaft siguri sa i përket kohëzgjatjes së mbrojtjes së ofruar prej vetëm një doze të vetme të vaksinës, porse ka thënë se administrimi i dozës së dytë një muaj pas të parës ka sjellë “jo shumë përfitime shtesë në aspektin afatgjatë”.

Skowronski punon në Qendrën Britanike të Universitetit Kolumbisë për Kontrollin e Sëmundjeve, përderisa De Serres është pjesë e Institutit kombëtar “Sante Publique de Quebec”.

Në Britani të Madhe, autoritetet kanë thënë se vendimin për shterjen deri në 12 javë të afatit për dhënien e dozës së dytë të vaksinës së “Pfizerit” e kanë mbështetur në të dhëna.

“Pfizeri” bashkë me partneren “BioNTech” kanë paralajmëruar se nuk posedojnë prova të mjaftueshme për ta miratuar një gjë të tillë.

Vaksina e “Pfizerit” është autorizuar që të merret me një dallim prej 21 ditësh nga doza e parë në të dytën.

Qendrat amerikane për parandalimin dhe kontrollimin e sëmundjeve ngjitëse dhe agjencitë mjekësore evropiane u kanë qëndruar besnike intervaleve kohore të konfirmuara si efikase në testet e ndërmarra masive.