Lifestyle

Virusi mund të mos zhduket kurrë, por të shndërrohet në një bezdi të lehtë

Me kalimin e kohës, virusi i familjes korona do të shndërrohet në një “tjetër kafshë të kopshtit zoologjik”, duke u bërë pjesë e sëmundjeve të tjera infektive, me të cilat njerëzimi është mësuar të jetojë, ka bërë të ditur mjeku T. Jacob John, i cili i studion viruset dhe ka udhëhequr përpjekjet e Indisë për frenimin e polios dhe HIV/AIDS-it

Çfarë ndodh nëse COVID-19 nuk largohet asnjëherë?

Ekspertët kanë thënë se ka të ngjarë që ndonjë version i sëmundjes të vazhdojë të qarkullojë midis njerëzve për vite me radhë. Por se si do të duket e ardhmja, kjo çështje është shumë pak e qartë.

A mund të ndodhë që koronavirusi, prej të cilit kanë vdekur më shumë se 2 milionë njerëz në çdo cep të botës, të çrrënjoset në fund të fundit me anë të fushatës globale të vaksinimit, njëjtë sikurse në rastin e virusit të lisë? A ka gjasa që SARS-CoV-2 t’i bishtnojë vaksinës me anë të mutacioneve të reja, të rrezikshme? Apo mbase virusi mund të mbetet edhe për një kohë të gjatë, duke u shndërruar në një bezdi të lehtë, siç është rasti me gripin e zakonshëm?

Me kalimin e kohës, virusi i familjes korona do të shndërrohet në një “tjetër kafshë të kopshtit zoologjik”, duke u bërë pjesë e sëmundjeve të tjera infektive, me të cilat njerëzimi është mësuar të jetojë, ka bërë të ditur mjeku T. Jacob John, i cili i studion viruset dhe ka udhëhequr përpjekjet e Indisë për frenimin e polios dhe HIV/AIDS-it.

Por këtë gjë, megjithatë, askush nuk e di me siguri.

Virusi është duke evoluar me shpejtësi dhe variante të reja janë duke u shfaqur në vende të ndryshme. Rreziku prej këtyre varianteve të reja ishte vënë në pah, kur “Novavax Inc.” kishte zbuluar se vaksina e saj nuk funksionon kundër mutacioneve të virusit që po qarkullojnë në Britani të Madhe dhe në Afrikën e Jugut.

Sa më shumë që përhapet, thonë ekspertët, aq më shumë rriten gjasat që virusi i ri të jetë në gjendje t’iu shmanget testimeve, trajtimeve dhe vaksinave të deritanishme.

Aktualisht shkencëtarët pajtohen se prioriteti i menjëhershëm është vaksinimi i numrit sa më të madh të njerëzve brenda afatit sa më të shkurtër të mundshëm. Hapi i radhës, sipas ekspertëve, është më pak i sigurt dhe varet nga forca e imunitetit të ofruar nga vaksinat, si dhe infeksionet e natyrshme.

“A do të jenë njerëzit shpeshherë pre e infektimeve të vazhdueshme? Ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme që ta dimë këtë gjë sigurt”, ka thënë Jeffrey Shaman, studiues nga Universiteti i Columbias. Sikurse shumë studiues të tjerë, Shaman beson se gjasat që vaksinat të ofrojnë imunitet të përjetshëm janë shumë të vogla.

Nëse njerëzit duhet të mësohen të jetojnë më COVID-19, natyra e bashkëjetesës varet jo vetëm nga kohëzgjatja e imunitetit, por edhe nga evoluimi i virusit. A do të pësojë mutacione të mëdha çdo vit, të cilat do të kërkonin vaksinim vjetor, sikurse për gripin? Apo, a do të shfaqet çdo disa vjet?

Këto pyetje i ka ngritur Jennie Lavie, virologe në universitetin “Emory”, e cila është bashkautore e studimit më të fundit të publikuar në revistën “Science”. Ky studim ka projektuar një skenar relativisht optimist.

“Pasi që shumica e njerëzve i janë ekspozuar deri më tani virusit – ose nëpërmjet vaksinimit apo pas infeksionit të natyrshëm – patogjeni do të vazhdojë të qarkullojë, por do të shkaktojë vetëm sëmundje të lehta, njëjtë siç bën ftohja e zakonshme”, ka bërë të ditur studimi.

Përderisa imuniteti i siguruar nga koronaviruset e tjera – sikur ato që shkaktojnë të ftohtin e zakonshëm ose sëmundjet SARS dhe MERS – zbehet me kohë, simptomat pas riinfektimit zakonisht janë më të buta sesa në sëmundjen fillestare, ka thënë Ottar Bjornstad, bashkautor i studimit, i cili i studion viruset pranë Universitetit Shtetëror të Pennsylvannias.

“Të rriturit zakonisht nuk kanë simptoma të rënda, po qe se kanë qenë të ekspozuar më herët”, ka thënë ai.

Parashikimi në studimin e “Science” është bazuar në analizën e hollësishme rreth asaj se si koronaviruset e tjerë janë sjellë me kalimin e kohës dhe supozohet se SAR-CoV-2 vazhdon të ndryshojë, por jo shumë shpejt ose në mënyrë radikale.

Image

Pandemia e gripit spanjoll të vitit 1918 mund të ofrojë të dhëna mbi rrjedhën e COVID-19. Patogjeni i këtij gripi ishte virusi H1N1 me gjene që kishin prejardhjen nga zogjtë, e jo një koronavirus. Asokohe nuk ishte zhvilluar asnjë vaksinë.

Qendrat për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë parashikuar se një e treta e popullsisë botërore ishte infektuar. Me kalimin e kohës, pasi që njerëzit e infektuar ose vdiqën ose krijuan imunitet, virusi ndaloi së përhapuri me shpejtësi. Pas kësaj, kishte ndryshuar formë për t’u bërë më pak virale, në atë që ekspertët thonë se vazhdon të qarkullojë çdo stinë.

“Shumë zakonshëm, pasardhësit e pandemive shndërrohen në gripa stinorë më të lehtë, që ne i përjetojmë për shumë vjet”, ka thënë Stephen Morse, studiues i viruseve në Universitetin e Columbias.

Nuk është ende e qartë se si mutacionet e ardhshme të SARS-CoV-2 do ta formësojnë trajektoren e sëmundjes së tanishme.

Nëse variantet e reja shfaqen – disa më infektuese, disa më virulente dhe disa ndoshta më lehtë reaguese ndaj vaksinave – shkencëtarët e potencojnë faktin se sa pak dinë për të ardhmen e viruseve, ka thënë Mark Jit, studiues i virologjisë në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër.

“Kemi ditur diçka për këtë virus vetëm për afro një vit, kështu që ende nuk kemi të dhëna për të treguar me saktësi për sjelljen e tij në pesë apo 10 vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai.

Gagadeep Kang, një eksperte e sëmundjeve infektive në Kolegjin Mjekësor në Vellore të Indisë Jugore, ka thënë se mutacioni i viruseve ngre pyetje të reja.

Në cilën fazë virusi bëhet një lloj i ri? A do të kenë nevojë për vaksinime nga e para? Apo a mund të jepet një dozë përforcuese?

“Këto janë pyetje që duhet të adresohen në të ardhmen”, ka thënë Kang.

E ardhmja e koronavirusit mund të ndryshojë me sëmundjet e tjera ngjitëse që kanë mposhtur në masë të madhe vaksinat që prodhojnë imunitet të përhershëm – siç është fruthi.

Përhapja e fruthit është zvogëlohet theksueshëm, pasi që shumica e njerëzve janë vaksinuar.

Por ndryshimet dinamike me kalimin e kohës mund të prodhojnë shfaqje të reja të rasteve, andaj ato kanë tendencë të jenë ciklike, ka shpjeguar Jayaprakash Mulivil, ekspert i epidemive dhe këshilltar për viruse në Qeverinë indiane.

Ndryshe nga fruthi, fëmijët e infektuar me COVID-19 nuk shfaqin çdoherë simptoma të qarta, porse mund ta bartin sëmundjen tek të rriturit më të brishtë.

Një tjetër e panjohur lidhur me koronavirusin është edhe ndikimi afatgjatë i imunitetit ndaj COVID-19 tek pacientët që e kanë mbijetuar, ka thënë Kang.

“Deri më tani nuk kemi pasur shumë sëmundje që kanë pasur tek njerëzit ndikim të kësaj shkalle”, ka thënë ajo. \ AP