Lifestyle

Çfarë mund dhe çfarë nuk mund të arrijnë vaksinat kundër COVID-19?

Gjëja që vaksinat nuk mund ta arrijnë ose, më saktë, që ende nuk është konfirmuar përfundimisht se mund të arrijnë është: Nuk dihet ende sigurt se sa ndihmon vaksina në ndalimin e përhapjes së virusit apo në pakësimin e përhapjes në popullsi. Nuk është po ashtu e konfirmuar qartë se deri sa kohë ruan vaksina imunitetin dhe nëse të vaksinuarit përkohësisht vazhdojnë ta kenë virusin dhe mund t’ua bartin të tjerëve

Pothuajse i gjithë viti i shkuar ka kaluar me presionin për të siguruar një vaksinë ndaj COVID-19. E gjithë bota mësoi çfarë janë vaksinat mARN, i ndoqi me interesim të madh të dhënat mbi studimet dhe mbajti shpresën për efektin e tyre. Ndërkaq, të gjithë mendonin në brendësi se nëse një vaksinë më në fund do të zhvillohet, atëherë çdo gjë do të shkojë për mirë dhe atë në afat sa më të shkurtër kohor.

Tani që vaksinat veçse ekzistojnë, jo gjithçka del se funksionon ashtu siç ishte menduar.

Së fundi u mësua se në një shtëpi të përkujdesjes për të moshuarit, në qarkun Osnabrück të Gjermanisë, disa prej banorëve kanë rezultuar të infektuar me variantin B.1.1.7 të koronavirusit.

Lajmi nxiti zhgënjim.

Pikërisht në këtë shtëpi të përkujdesjes, banorët kishin marrë më herët dozën e parë të vaksinave. Por a konsiderohet ky si një rast i dështimit të vaksinimit?

Ç’është e vërteta, jo. Mirëpo e reflekton faktin se është keqkuptuar vaksina.

“Ka pasur raste tërësisht asimptomatike dhe në përgjithësi me simptoma të lehta, gjë që me sa duket shpjegohet me efektin pozitiv të vaksinës”, ka thënë Burkhard Riepenhoff, përfaqësues për shtyp i qarkut të Osnabrück, në përgjigjen për “Deutsche Welle”.

Edhe autoritetet shëndetësore dhe mjekët janë të sigurt se vaksina e dytë, në shumicën e rasteve, e pengon një ecuri me pasoja të rënda të sëmundjes, thuhet në një njoftim të shtëpisë së përkujdesjes. E pikërisht ky është qëllimi i vaksinës: të pengojë sëmundjen me pasoja të rënda.

Mendësia e gabuar se një dozë vaksine mjafton

Vaksinat e licencuara deri më tani ndaj COVID-19 kanë rezultuar të gjitha efektive ndaj sëmundjes. Kjo bën që nëse një person i vaksinuar vihet në kontakt me virusin SARS-CoV-2, të mos sëmuret, së paku jo në formë të rëndë.

Megjithëkëtë, rregullat e mbajtjes së distancës, të higjienës dhe mbajtja e maskës janë të rëndësishme, dhe për këtë Instituti Robert Kosh tërheq veçanërisht vëmendjen.

“Edhe personat e vaksinuar mund të kontribuojnë në përhapjen e koronavirusit”, shkruan në faqen e internetit të këtij instituti.

Mirëpo gjëja që vaksinat nuk mund ta arrijnë ose, më saktë, që ende nuk është konfirmuar përfundimisht se mund të arrijnë është: Nuk dihet ende sigurt se sa ndihmon vaksina në ndalimin e përhapjes së virusit apo në pakësimin e përhapjes në popullsi. Nuk është po ashtu e konfirmuar qartë se deri sa kohë ruan vaksina imunitetin dhe nëse të vaksinuarit përkohësisht vazhdojnë ta kenë virusin dhe mund t’ua bartin të tjerëve.

Në raste të tilla, një person mund ta ketë përkohësisht virusin, por jo edhe të sëmuret.

Pikërisht kjo pikë hap rrugën për keqkuptime: A mbrojnë vaksinat nga infeksioni apo “vetëm” nga sëmundja?

Imunitet i sterilizuar apo funksional

E gjithë shpresa është përqendruar aktualisht në të ashtuquajturin “imunitet i sterilizuar” i vaksinave ndaj koronavirusit. Në një rast të tillë, vaksina do të mbronte nga infeksioni. Kjo pasi që virusi bllokohet përpara se të depërtojë në trup. Të vaksinuarit nuk e bartin atë, ngase nuk e kanë atë në trup. Pra, virusi nuk mund të përhapet më. Dhe ky është një aspekt i rëndësishëm për imunitetin e tufës.

“Mirëpo ky imunitet sterilizues nuk është konfirmuar deri më tani në vaksinat ndaj koronavirusit”, ka bërë të ditur Qendra Federale për Sqarimin Shëndetësor. “Mungojnë ende të dhënat, rezultate mund të ketë vetëm në muajt e ardhshëm”.

Në rastin e “imunitetit funksional”, infeksioni nuk pengohet, por të vaksinuarit mbrohen nga shpërthimi i sëmundjes dhe ecuria e rëndë e saj.

Mutacionet krijojnë pikëpyetje

Në kohën e shumë paqartësive mbi vaksinat, probleme të reja shfaqen me paraqitjen e mutacioneve të virusit. Afrika e Jugut e ka ndaluar përdorimin e vaksinës së koncernit britaniko-suedez “AstraZeneca”, për aq kohë sa shkencëtarët ende janë duke u konsultuar rreth përdorimit.

Sipërmarrja farmaceutike ka pranuar se vaksina e saj ofron mbrojtje të kufizuar ndaj infeksionit me simptoma të lehta të variantit të ri të virusit, të zbuluar për të parën herë në Afrikën e Jugut.

Të dhënat paraprake nga studimet e Universiteteve Oxford dhe Witwatersrand, që do të botohen nga “AstraZeneca”, kanë treguar se vaksina është efikase ndaj variantit B.1.351, duke e penguar sëmundjen e rëndë, por jo edhe sëmundjen e shkallës më të lehtë. Të dhënat megjithatë janë të kufizuara, sepse testimi është bërë vetëm me 2.000 të rinj dhe të shëndetshëm.

Mutacionet nuk janë të pazakonta tek viruset. Por ndryshimet në një pozicion të proteinës mund të kontribuojnë në përhapjen më të shpejtë të virusit.

Virusi që ka pësuar mutacion mund të shumohet në rrethana të caktuara me intensitet më të madh dhe të përhapet apo ta shmangë më lehtë sesa koronavirusi fillestar.

Drejtuesi i studimit në Afrikën e Jugut, Shabir Madhi, është shprehur optimist, duke iu referuar ngjashmërisë së vaksinës së “AstraZenecas” me atë “Johnson&Johnson”, e cila ofron 85 për qind mbrojtje nga sëmundja e rëndë. Besohet se vaksina e “AstraZenecas” funksionon edhe në grupmoshat më të rrezikuara. Universiteti i Oxfordit është duke punuar ndërkohë në përshtatjen e vaksinës ndaj varianteve të reja të virusit.

Kujdesi duhet të vazhdojë

Vaksinat e kompanive “BioNTech”/”Pfizer” dhe asaj “Moderna” kanë rezultuar po ashtu efikase edhe ndaj variantit britanik të virusit.

Epidemiologu gjerman Karl Lauterbach ka shkruar në Twitter se varianti i virusit nga Afrika e Jugut ka demonstruar se sa e rëndësishme është që të shmanget çdo infeksion.

“Është e domosdoshme që edhe më tej të bashkëpunojmë dhe të jemi aktiv në kufizimin e virusit dhe të gjitha varianteve të tij. Rregullat e mbajtjes së distancës, higjiena dhe mbajtja e maskës duhen respektuar, si dhe duhen kufizuar kontaktet derisa ta kemi pandeminë nën kontroll”, ka thënë Lauterbach. \ DW