Lifestyle

Mënyrat efikase për kapërcimin e mërzisë nga izolimi

Është bërë pothuajse një vit që nga shfaqja e pandemisë COVID-19, por duket sikur përpara janë edhe shumë javë të tjera më se të vështira. Gjatë tërë kohës, njerëzit kudo në botë janë përballur me izolime për frenimin e përhapjes së koronavirusit dhe kjo gjë ka ndikuar në akumulimin e mërzitjes.

Agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Welle” ka ofruar, nëpërmjet konsultimeve me ekspertët, disa mënyra efikase për kapërcimin e kësaj gjendjeje.

Lojërat e tavolinës

Lojërat e tavolinës nuk janë diçka e re, por nuk do të thotë se e kanë humbur gjithë lavdinë e tyre, sidomos në kohën e pandemisë. Bazuar në ekspertët që bëjnë matje në fusha të tilla, viti 2020 ka shënuar rritje rekord për prodhuesit e lojërave të tavolinës dhe mozaikëve në Gjermani, ku shitjet kanë evidentuar rritje prej 21 për qind. Dhe nuk është që janë rritur vetëm shitjet, 27 për qind e të anketuarve kanë thënë të kenë kaluar më shumë kohë duke luajtur lojëra të tilla.

Në këtë mes theks i veçantë është vënë te mozaikët. Këto lojëra janë të përkryera po qe se jeni vetëm dhe nuk keni se me kë të luani. Mozaikët i mbajnë personat të zënë për orë të tëra dhe po qe se nuk mund t’i vizitoni vendet që i zbuloni në mozaikë, me anë të figurave së paku mund të përjetohet sado pak kënaqësi.

Lojërat kompjuterike – mënyrë përbashkimi prej distancës

Gjatë pandemisë, kontaktet e drejtpërdrejta fizike me miqtë apo familjarët janë rralluar. Ndërkaq, rruga u është hapur takimeve virtuale. Lojërat kompjuterike online ofrojnë mundësi për lojë me persona të ndryshëm, në vende të ndryshme dhe gjithë kjo në të njëjtën kohë dhe nga distanca. Andaj, në pamundësi për një meç shahu, pokeri ose lojës me karta, aplikacionet online ofrojnë qasje të sigurt për shumë lojtarë njëherësh.

Mund të mos jetë e njëjta kënaqësi sikurse mbajta e kartave, por ia vlen që të provohet.

Nëse jeni më ambicioz, atëherë ekziston mundësia që bashkë me miq të luhet online dhe aty të vriten përbindësh, të ndërtohen qytete ose të perfeksiononi një sërë sportesh, krejt këto me personat që as që i njihni.

Çiklizmi

Shumë njerëz kanë rizbuluar dashurinë për çiklizmin gjatë pandemisë. Qytetet, si Berlini dhe Londra, janë duke prirë në këtë drejtim, nëpërmjet krijimit të të ashtuquajturave shtigje të veçanta për çiklistë anë e kënd qytetit. Ideja është sa e mençur po aq e thjeshtë: Nëse rruga nuk është duke u përdorur, pse të mos kthehet në hapësirë për çiklistët.

Zyrtarët e dy kryeqyteteve mund të thuhet se ua kanë shtruar qilimin e kuq çiklistëve, me moton: “Nëse e ndërton, e përdorin”. Pos çiklistëve, këtë mundësi e përdorën edhe patinatorët.

Thurja, alternativë për kapërcimin e krizës

Mund të tingëllojë si e pabesueshme, sidomos në kohën kur ekziston alternativa si “Netflixi” dhe mundësi të shumta të tjera për të shikuar televizion, por të rinjtë tani janë duke e kaluar përherë e më shumë kohën, duke thurur me kërrabëza dhe me grep. Kjo po ndodh aq theksueshëm saqë ekspertët kanë bërë të ditur se 2020-a ishte vit i rritjes rekorde të shitjeve. Mësimet argëtuese mbi thurjen, si dhe modelet e thurjes pa pagesë, kanë kontribuar theksueshëm në këtë drejtim.

Lapsi dhe letra!

A keni pasur ndonjëherë dëshirë që ta provoni shkrimin? Tani është koha që ta vendosni lapsin mbi letër dhe të shihni se çfarë mund të ndodhë. Autori, Ian McEwan, ka thënë në një intervistë për “The Guardian” kohë më parë se njerëzit duhet të shkruajnë të paktën një orë në ditë. Ata duhet të shkyçen nga interneti, t’i marrin lapsin dhe fletoren, dhe t’i shprehin idetë dhe mendimet e tyre, dhe atë, pa pasur nevojë për kopjim dhe pa i kontrolluar gabimet drejtshkrimore.

Po qe se ju pëlqen fotografia, siç i pëlqen kritikut të filmave të “Guardianit”, Peter Bradshaw, atëherë fotografojeni një pemë që e shihni nga dritarja.

Nëse krejt këto ju duken të parealizueshme, atëherë gjithmonë mund ta provoni këndimin nën dush.

Këndimi

Nëse këndimi në dush nuk është për ju, atëherë çfarë mendoni për krijimin e një studioje të vogël në shtëpi dhe albumet e juaja? Paul McCartney e kishte bërë një gjë të tillë. Edhe Taylor Swifti. Ajo në fakt i ka punuar kësisoj dy albume.

Po qe se ju duket si diçka shumë ambicioze, mund të filloni me gjëra më të vogla. Merreni kitarën, flautin apo trumbetën, dhe provojini aftësitë tuja. S’do mend që nuk do të tingëlloni përnjëherë sikur Miles Davinsi, por as vetë Davisi nuk ka arritur aty ku është aq shpejt./DW/