Lifestyle

“COVID-i i gjatë” i ndërlidhur me simptomat e të mbijetuarve të Ebolës

Descriptive Text

Ekspertët janë duke i studiuar po ashtu ngjashmëritë ndërmjet efekteve të vazhdueshme të virusit “Chikunguuya”, me shpresën se do të gjejnë trajtime të reja për rastet e personave që i vuajnë simptomat e koronavirusit më gjatë sesa koha e paracaktuar dyjavore e sëmundjes

Shkencëtaret janë duke i studiuar ngjashmëritë midis “COVID-it të gjatë” dhe simptomave të vazhdueshme që i kishin përjetuar të mbijetuarit e Ebolës dhe të virusit Chikunguuya, me shpresën se do të gjejnë trajtime të reja për ta përmirësuar shëndetin e tyre.

Sikur pacientët që vuajnë nga ajo që tashmë njihet si “COVID i gjatë”, të mbijetuarit e viruseve të tjerë relativisht të rinj njerëzorë, shpeshherë kanë përjetuar simptoma të stërzgjatura që e vështirësojnë aftësinë për punë dhe funksionim normal në jetën e përditshme.

Në rastin e Ebolës, rreth tre të katërtat e të mbijetuarve ende janë duke i përjetuar simptomat edhe një vit pas infektimit fillestar, ndërsa në disa raste edhe për më gjatë se kaq – duke përfshirë dhembjet në nyje dhe muskuj, kokëdhembjet e ngjashme me migrenën, problemet me të parët, si dhe plogështinë.

Rrëfimi është i ngjashëm edhe me Chikunguuyan, një virus ky i bartur nga mushkonjat, që rëndom i prek personat në vendet afrikane dhe aziatike, duke shkaktuar ethe dhe dhimbje paralizuese të nyjave. Rreth një e treta e personave të prekur zhvillojnë artritis të rëndë, që mund të zgjasë për vite të tëra, apo edhe simptoma të tjera, siç është lodhja.

“Janë të njëjtat diskutime sikurse po i kemi për COVID-in; janë njerëzit jetët e të cilëve kurrë më nuk kanë qenë njësoj, të cilët i përshkruajnë dhembjet e nyjave dhe lodhjen, si dhe problemet kognitive dhe të gjitha këto probleme të njohura”, ka thënë Danny Altmann, profesor i imunologjisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës. “Përvojat me Chikunguuyan dhe Ebolën duhet të jenë zilja e alarmit, ngase edhe pse po flasim për familje shumë të ndryshme virusale dhe infeksione shumë të ndryshme, ato duket se po bëjnë gjëra shumë të ngjashme. Ekziston nevojë dëshpëruese që imunologjia ta kuptojë se çfarë është duke ndodhur”, ka thënë ai.

Disa prej këtyre studimeve veçse kanë nisur të bëhen.

Yves Lévy nga Universiteti “Paris-Est Créteil” dhe kolegë të saj kanë kryer analiza me gjakun e të mbijetuarve të Ebolës në Guine, dy vjet pasi ata janë infektuar me virusin që shkakton ethe të rënda dhe shpesh fatale hemorragjike.

“Zakonisht, kur e luftoni një infeksion ka inflamacion dhe aktivizim të sistemit imunitar, por gjendja kthehet në pikën paraprake kur të shëroheni. Ajo që po shpërfaqim me Ebolën është se pacientët po rimëkëmben dhe virusi po ikën, por ata po e kanë këtë inflamacion të vazhdueshëm dhe aktivizim imunitar”.

Nëse ky është shkaktari i simptomave të tyre të tejzgjatura kjo gjë nuk dihet ende, por studimet e tjera kanë shpërfaqur lidhjen midis disa treguesve inflamatikë që kanë identifikuar dhe lodhjes, ka thënë Miles Carroll, udhëheqëse i studimeve në shërbimin kombëtar të infektologjisë në kuadër të Shëndetit Publik të Anglisë, i cili gjithashtu po i studion të mbijetuarit e Ebolës. “Vetëm të kuptuarit se ekziston kjo lidhje midis infektimeve të mëhershme dhe një sindrome kronike është një fillim i mirë”, ka shtuar ai.

Shkaktari i këtij inflamacioni është i paqartë. Një mundësi është se rezerva të vogla të virusit mbijetojnë në vendet si testikujt apo në sy, zona këto në të cilat sistemi imunitar ka më pak qasje, por të cilat megjithëkëtë nxisin një lloj aktivizimi imunitar. Tjetra është se virusi është zhdukur, por disa prej proteinave të tij mbesin të lidhura me qelizat e të mbijetuarve, kështu që sistemi imunitar i sulmon ato. Apo se thjesht sistemit imunitar i duhet më shumë kohë për t’u rimëkëmbur nga Ebola.

“Duhet t’i përcjellim këta pacientë në aspektin afatgjatë, për shkak se kur thonë se kanë simptoma kjo qartazi nuk është një çështje psikologjike”, ka thënë Lévy.

Ekipi i tij aktualisht është duke kryer analiza të njëjta me gjakun e pacientëve të cilët janë shëruar nga COVID-19.

“Nuk është e pamundur që këta pacientë me COVID të ruajnë disa tregues inflamtorë për një kohë të gjatë, sikurse kemi parë me Ebolën”.

Studime të ngjashme janë duke u bërë edhe me personat të cilët janë shëruar nga virusi Chikunguuyna, përfshirë nga Lisa Ng, kryehulumtuese e lartë në rrjetin e Imunologjisë në Singapor. Ajo ka theksuar se Chikunguuya është shumë ndryshe prej COVID-19; ndonëse molisës, ai rrallëherë shkakton sëmundje të rënda apo sindroma respiratore. Megjithatë, “disa paralele mund të jenë lodhja, molisja dhe ndjenja e pafuqisë, siç janë shumë prej gjendjeve pasvirusale. Këto mund të shfaqen si pasojë e efekteve të tejzgjatura të virusit, derisa trupi vazhdon ta pastrojë veten prej tij. Kjo është sikur një lloj lufte midis pacientit dhe virusit”.

Ani pse mekanizmat e saktë që i nxisin këto simptoma të tejzgjatura ende duhet të definohen saktë, një e dhënë ofrohet nga qelizat ndihmëse T – një lloj ky i qelizave imunitare që luajnë rol të rëndësishëm në nxitjen dhe formësimin e përgjigjes së sistemit imunitar ndaj viruseve.

Studimet e Ngsë sugjerojnë se mund t’i kontribuojnë inflamacionit të vazhdueshëm në nyjat e personave që janë shëruar nga Chikunguuya.

Të dhënat e tilla mund të çojnë drejt trajtimeve potenciale, siç janë ridestinimi i ilaçeve ekzistuese antiinflamatore, ose zhvillimi i imunoterapive të reja për sindromat e tilla postvirale.

Nëse përgjigjet e ngjashme imunitare e nxisin “COVID-in e gjatë” ende nuk dihet, por tanimë ekzistojnë prova se “aktivizuesi miqësor” nga sistemi imunitar mund të implikohet në disa raste.

Por, nëse ekziston ndonjë mësim tjetër që duhet mësuar nga Chkunguuya, atëherë ai është se këta pacientë me simptoma të tejzgjatura thjesht nuk duhet anashkalohen.

“Chikunguuya është duke e shkatërruar sistemin shëndetësor brazilian dhe kjo jo aq shumë për shkak të infeksionit akut, por për shkak të këtyre problemeve të vazhdueshme shëndetësore”, ka thënë Altmann.

“Nuk jam i sigurt nëse politikëbërësit tanë e kanë këtë parasysh kur mendojnë për COVID-in – se mund të mos jemi duke folur për ta kapërcyer gjithë këtë gjatë këtij dimri apo kësaj pranvere, por mbase për 300.000 persona në Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë, të cilët e kanë një problem kronik”.