Lifestyle

Nuk ka dëshmi të mjaftueshme se vitamina D ndikon ndaj COVID-19

I përbërë nga ekspertë të Institutit Kombëtar për Shëndet dhe Përkujdesje, Instituti i Shëndetit Publik në Britani të Madhe dhe Komiteti Këshillues Shkencor, paneli ka njoftuar se nevojiten më shumë studime në këtë drejtim. Megjithëkëtë, paneli ka këshilluar që të gjithë të marrin vitaminën D çdo ditë gjatë dimrit, ashtu që të sigurohet shëndeti i eshtrave dhe muskujve

Nuk ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme që tregojnë se vitamina D ofron mbrojtje kundër sëmundjes pandemike COVID-19, ka bërë të ditur një panel i ekspertëve.

I përbërë nga ekspertë të Institutit Kombëtar për Shëndet dhe Përkujdesje, Instituti i Shëndetit Publik në Britani të Madhe dhe Komiteti Këshillues Shkencor, paneli ka njoftuar se nevojiten më shumë studime në këtë drejtim. Megjithëkëtë, paneli ka këshilluar që të gjithë të marrin vitaminën D çdo ditë gjatë dimrit, ashtu që të sigurohet shëndeti i eshtrave dhe muskujve.

Për më tepër, këto suplemente po ofrohen edhe falas për personat më të rrezikuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Zyrtarët shëndetësorë kanë ndërmarrë një rishikim të shpejtë të dëshmive rreth lidhjes midis vitaminës D dhe COVID-19, pasi që një numër i vogël i studimeve kishte sugjeruar se suplementi mund të luajë rol të theksueshëm në nxitjen e reagimit të sistemit imunitar ndaj viruseve respiratore.

Megjithatë, ata kanë zbuluar se ka “dëshmi të pamjaftueshme” për ta rekomanduar këtë vitaminë si kurë parandaluese apo trajtuese për sëmundjen. Ekspertët shëndetësorë të përfshirë në studim kanë thënë se testime të cilësisë së lartë dhe të atypëratyshme duhet të bëhen para se të nxirren përfundime.

Mjeku Paul Chrisp, drejtor i qendrës për udhëzime në NICE, ka thënë se ekipi do ta vazhdojë monitorimin e dëshmive, edhe pasi që ato të publikohen dhe ka shtuar se do të bëhen edhe rishikime e përditësime lidhur me udhëzimet, po qe se për këtë do të ketë nevojë.

Adrian Martineau, profesor klinik i infeksioneve respiratore dhe i imunitetit në Universitetin e Mbretëreshës Mary të Londrës, ka thënë se ekziston mundësia që vitamina “mund ta ulë rrezikun apo ashpërsinë e COVID-19” dhe se testimet klinike që tanimë janë duke u zhvilluar “mund t’i hedhin dritë kësaj çështjeje”.

Konsumimi i vitaminës D është veçanërisht i rëndësishëm gjatë dimrit, shkaku i kohës tejet të gjatë sa njerëzit kudo nëpër botë kanë qëndruar brenda shtëpive, si pasojë e izolimeve për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Kjo nënkupton se ata kanë siguruar sasi të paktë të vitaminë D nga rrezet e diellit, burimi ky kryesor. Vitamina D mund të merret edhe nga ushqimet e caktuara, si peshku apo drithërat, por edhe nëpërmjet pilulave. Disa persona rrezikojnë të mos furnizohen mjaftueshëm me vitaminën D, madje edhe gjatë stinëve të pranverës dhe verës.

Personat me lëkurë të errët, ata që ndodhen nëpër shtëpi të kujdesit dhe që nuk dalin shpesh jashtë shtëpive këshillohen që të marrin pilula të vitaminës D, gjatë tërë vitit.

Mjekia Alison Tedstone, nutricioniste në Shëndetin Publik në Angli, ka këshilluar që të gjithë njerëzit të marrin çdo ditë pilula të vitaminës D që përmbajnë 10 mikrogramë njësi.

“Këtë vit, kjo këshillë është më e rëndësishme se kurrë më parë, pasi që njerëzit po qëndrojnë për kohë më të gjatë në ambiente të brendshme”, ka thënë ajo.