Lifestyle

A ndihmon stërvitja në orar të njëjtë të humbni më lehtë peshë?

Është me rëndësi të ushtroni nga 30 minuta çdo ditë, por është po aq e rëndësishme t’i përmbaheni rutinës.

Rregullimi i kohës kur i bëni ushtrimet ditore, dhe përmbajtja me përpikmëri e këtij orari, në fakt ju ndihmon dukshëm që të humbni më shumë peshë.

Një studim i botuar në revistën “Obesity”, deklaroi se qëndrueshmëria e mbajtjes së një kohe të caktuar të ushtrimeve, e ndihmojnë një person që të humbas peshë më lehët dhe më shpejtë.

Ky hulumtim po ashtu sugjeron që ndjekja e kësaj rutine të shëndoshë, rezulton me nivele më të larta të aktiviteteve fizike. Kjo ndodhë pavarësisht nëse ju ushtroni në të njëjtën kohë në mëngjes, pasdite apo mbrëmje.

Gjatë studimit, hulumtuesit i kanë analizuar 375 të rritur të shëndetshëm të cilët kishin pasur sukses në mirëmbajtjen e peshës, duke u përfshirë në aktivitete fizike të rregullta dhe ushtrime pak më të rënda.

68 për qind e pjesëmarrësve kishin ushtruar në të njëjtën kohë çdo ditë, derisa të tjerët kishin ushtruar në termine të ndryshme kohore gjatë javës. Që të gjithë pjesëtarët e këtij hulumtimi ishin pjesë e një regjistri të humbjes së peshës, i krijuar për të mbledhur të dhëna mbi karakteristikat dhe modelet e sjelljes së njerëzve, të cilët kanë humbur peshë me sukses dhe kanë arritur ta mirëmbajnë fizikun e tyre.

Një tjetër rezultat pozitiv i ushtrimeve në orar të njëjtë është, se ata të cilët e praktikojnë këtë shprehi mund ta zgjasin kohën e stërvitjes, më shumë sesa ata që ushtrojnë në kohë të ndryshme.

Besohet se duke ushtruar në orar të njëjtë çdo ditë, stërvitja shndërrohet në një zakon që ua bënë më të lehtë të rezervoni kohë, për t’i kryer aktivitetet fizike të domosdoshme për një shëndet sa më të mirë.