Lifestyle

Ushtrimet e rregullta e “mprehin” mendjen e moshës mbi 50 vjeç

Ushtrimet e moderuara disa herë në javë janë mënyra më e mirë për ta mprehur mendjen nëse i keni më shumë se 50 vjet, sipas një studimi të ri. Hulumtuesit australianë theksojnë se ushtrimet në çdo moshë janë të rëndësishme për mendjen dhe trupin.

Personave më të vjetër se 50 vjet të cilët nuk janë të aftë për ushtrime kërkuese u rekomandohen ushtrimet si T'ai Chi.

Dihet se aktiviteti fizik e ul rrezikun e shumë sëmundjeve, duke përfshirë diabetin 2 dhe disa lloje të kancerit, ndërsa besohet edhe se e luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e ngadalësimit natyral të trurit gjatë plakjes.

Hulumtuesit theksojnë se truri gjatë ushtrimeve konsumon më shumë gjak, oksigjen dhe materie ushqyese gjë që ndikon dukshëm në shëndetin e tij, si dhe në hormonin e rritjes i cili ndihmon në krijimin e neuroneve të reja, transmeton Koha.net. Në një analizë të studimeve të mëparshme e cila u zhvillua në British Journal of Sports Medicine, studiuesit nga Universiteti Canberra i monitoruan efektet e ushtrimeve të cilat zgjatën për të paktën katër javë.

Në testet e ndryshme të cilat u kryen në tru janë gjetur prova se aerobiku i përmirëson aftësitë kognitive si të menduarit, leximi, të mësuarit dhe të menduarit, ndërsa ushtrimet me pesha e kanë një ndikim të konsiderueshëm në kujtesën dhe aftësinë për të planifikuar dhe organizuar.

Autori dhe studiuesi Joe Northey thotë se rezultatet janë mjaft bindëse saqë mund të konkludohet se ushtrimet ndikojnë pozitivisht në shëndetin e trurit tek personat më të moshuar se 50 vjet.

“Edhe në qoftë se vetëm bëni ushtrime të moderuara një herë ose dy herë në javë, ky është një përmirësim i dukshëm në funksionin kognitiv, por përmirësimi është më i madh sa më të shpeshta janë ushtrimet”, theksoi Northey.

Rekomandohet që të rriturit të bëjnë të paktën 150 minuta aktivitet të moderuar aerobik në javë, dhe që muskujt kryesorë t’i ushtrojnë dy ose më shumë herë në javë.

“Çdo 10 minuta të ushtrimeve e ofrojnë një përfitim të caktuar, ndërsa 150 minuta në javë e ulin rrezikun nga dementia dhe depresioni”, thotë mjeku Justin Varney.