Lifestyle

Mjekët paralajmërojnë për rreziqet e infektimit me COVID-19 dhe grip sezonal në të njëjtën kohë

Doktorët janë duke paralajmëruar qe një kohë për “pandeminë e dyfishtë” me koronavirusin dhe gripin sezonal që pritet të nisë së qarkulluari së shpejti. Përzierja e këtyre dy viruseve, sipas mjekëve mund të jetë shkatërruese.

“Sigurisht se mund të merrni gripin sezonal dhe COVID-19 në të njëjtën kohë, e kjo do të ishte katastrofike për sistemin tuaj imunitar”, ka thënë Adrian Burrowes, mjek i mjekësisë familjare në Florida për CNN.

Në fakt, infektimi me njërin nga këta viruse i bën njerëzit më të prekshëm përballë virusit tjetër, ka thënë epidemiologia Seema Yasmin.

“Sapo të infektoheni me grip dhe viruse të tjera respiratore, ajo ju dobëson trupin”, ka thënë drejtoresha e Qendrës për Edukim Shëndetësor në Stanford. “Mbrojtësit tuaj bien, dhe ju bën më lehtë të prekshëm për një infeksion të dytë”.

Në vetvete, edhe COVID-19 edhe gripi sezonal mund të sulmojnë mushkëritë, të shkaktojnë pneumoni apo dështim të rrugëve të frymëmarrjes, ka thënë Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (CDC).

Secila sëmundje po ashtu mund të shkaktojë probleme në zemër, lodhje të muskujve e probleme në tru.

Të qenit i infektuar me dy viruset në të njëjtën kohë “do të rriste rrezikun për efekte afatgjate në cilindo sistem organesh”, ka thënë Michael Matthay, profesor i mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë.

Megjithatë, është ende herët të dihet saktësisht se sa keqësohet gjendja nëse dikush infektohet me dy viruset. Kjo sepse COVID-19 nuk kishte kapur botën në kohën kur ishte duke qarkulluar ende gripi sezonal i shkuar.

Matthay pret që problemet në mushkëri të rriten ndjeshëm te njerëzit nëse trupi i tyre infektohet me gripin sezonal dhe koronavirusin.

“Dy viruset bashkë definitivisht do të shkaktonin më shumë lëndime në mushkëri dhe më shumë dështime të frymëmarrjes”, ka thënë ai. “Dështimi i organeve të frymëmarrjes është kërcënim për jetën”.

Mjekët thonë se të dy viruset janë të ngjashme, dhe të dyja sjellin kollë, ethe, dhimbje fyti e trupi dhe rrjedhje të hundëve, sipas CDC-së. Por për dallim nga gripi, COVID-19 mund të shkaktojë edhe humbje të shijes.

Përpos kësaj, gjysma e bartjes së koronavirusit ndodh te njerëzit që s’kanë fare simptoma. Mënyra më e mirë për të kuptuar nëse dikush ka koronavirusin apo gripin është testimi.

Teksa ende s’ka vaksinë për koronavirusin, ekziston ajo për gripin, që edhe pse nuk e parandalon plotësisht zakonisht simptomat janë shumë më të pakta.

Në gjithë botën deri tash janë infektuar më shumë se 28 milionë persona, e më shumë se 911 mijë kanë vdekur.

Në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë në fillim të muajit gusht pati hapur tender për furnizim me rreth 400 mijë vaksina sezonale. Por tenderi është anuluar të mërkurën.