Lifestyle

Studimi i fundit rrëzon idenë e imunitetit kolektiv për të luftuar koronavirusin

Imuniteti kolektiv nuk funksionon si strategji kundër COVID-19. Në këtë përfundim ka dalë një kërkim i fundit i disa shkencëtarëve ku për studim u mor Suedia.

Shteti skandinav nuk u fut në karantinë në nivel kombëtar duke pretenduar se imuniteti kolektiv do të mbrojë popullsinë. Me këtë taktikë synohet që shumica e njerëzve të infektohet dhe të bëhet rezistente ndaj virusit, aq sa ai nuk mund të shpërndahet më.

Mirëpo një analizë e University College London sugjeron që vendi është shumë larg këtij qëllimi. Vetëm 15% e popullsisë në Stockholm, kryeqytetin suedez, është infektuar deri më tani. Ky rezultat bëhet i ditur pas testimeve me antitrupa.

Për imunitetin kolektiv duhet që të infektohet të paktën 60% e popullsisë. Ndërkohë Suedia për momentin ka nivelin më të lartë të infeksioneve dhe viktimave krahasuar me vendet e tjera skandinave.

Deri më 23 qershor, në këtë vend ishin regjistruar 5.161 viktima, ose 511 viktima për 1 milionë banorë bazuar në popullsinë suedeze. /tvklan.al