Lifestyle

Truri mund t’i zbulojë personat e sëmurë

Descriptive Text

Truri i njeriut e ka një kapacitet shumë më të madh për zbulimin dhe shmangien e sëmundjeve se sa që ishte menduar më parë, sipas një studimi të ri të kryer nga hulumtuesit nga Instituti Karolinska në Suedi.

Shqisa e të pamurit dhe e shijes e paralajmërojnë vetëdijen tonë se dikush është i sëmurë, edhe para se sëmundja të bëhet e dukshme, transmeton Koha.net. Njerëzit sillen në përputhje me këtë njohuri dhe i shmangin personat e sëmurë.

Sistemi imunitar i njeriut është efektiv në luftën kundër sëmundjeve të ndryshme, por meqë ai kërkon harxhim të madh të energjisë, shmangia e sëmundjes është ende një mënyrë më e mirë për ta ruajtur shëndetin, duke e kursyer në të njëjtën kohë energjinë.

“Hulumtimi tregon se truri i njeriut i regjistron në mënyrë të shkëlqyer sëmundjet tek të tjerët dhe të qenit të vetëdijshëm për këtë na çon në shmangien e sëmundjes”, tha hulumtuesi kryesor prof. Mats Olsson nga Instituti Karolinska.

Me injektimin e baktereve të padëmshme studiuesit e aktivizuan sistemin imunitar te pjesëmarrësit, të cilët zhvilluan simptoma klasike: lodhje, dhimbje dhe ethe, ndërsa gjatë atyre pak orëve sa zgjatë sëmundja iu morën mostra të aromës, dhe pastaj u fotografuan dhe xhiruan.

Grupi i dytë i pjesëmarrësve u ekspozua ndaj aromave dhe fotove të tyre, dhe pastaj edhe fotove të njerëzve të shëndoshë dhe ata duhej të përgjigjen në pyetjen se çfarë ndiejnë për ta. Gjatë këtij procesi, aktiviteti i trurit të tyre u mat me skaner MR.

Bazuar në foto ata u detyruan ta përcaktojnë se cili nga pjesëmarrësit është i sëmurë, dhe cili prej tyre dukej tërheqës dhe me kë do ta kalonin kohën me dëshirë.

“Studimi ynë tregon se njerëzit janë më të gatshëm të shoqërohen me njerëz të shëndetshëm sesa me ata që janë të sëmurë dhe sistemin imunitar të të cilëve e aktivizuam artificialisht”, tha profesor Olsson.

Profesori mendon se rezultatet e hulumtimit paraqesin një vërtetim biologjik të argumentit se instinkti për mbijetesë e nënkupton shmangien e infeksioneve.

“Logjika na thotë se do të duhej të ekzistojë një sjellje e cila e ndihmon sistemin imunitar. Shmangia, megjithatë, nuk vlen domosdo për personat me të cilët jemi shumë të afërt”, konkludoi profesori Olsson.