Lifestyle

Të shëruarit nga COVID-19 vuajnë nga përkeqësimi i shëndetit mendor

Hulumtuesit në Itali kanë gjetur se të shëruarit nga COVID-19 vuajnë në shkallë më të madhe nga çrregullimet psikike, përfshirë çrregullimin post traumatik, ankthin, pagjumësinë dhe depresionin.

Hulumtimi i bërë nga spitali San Rafaele në Milano ka gjetur se më shumë se gjysma e 402 pacientëve të monitoruar pas shërimit nga virusi, po vuajnë nga së paku një nga çrregullimet, varësisht nga shkalla e inflamacionit gjatë sëmundjes, shkruan The Guardian të hënën.

Pacientët, 265 meshkuj dhe 137 femra, u ekzaminuan një herë në muaj pasi që ishin liruar nga spitali. Duke u bazuar nga intervistat dhe pyetësorët, mjekët gjetën se 28% e rasteve vuajnë nga çrregullimi postraumatik, 31% nga depresioni, 42% nga ankthi, 40% nga pagjumësia dhe 20% kishin simptome obsesive-kompulsive, transmeton KOHA. Sipas kësaj, i bie që një pacient të vuajë nga disa çrregullime.

Raporti u publikua të hënën në ditarin shkencor “Truri, Sjellja dhe Imuniteti”. Studimi gjeti se femrat po vuanin më së shumti nga depresioni dhe ankthi, edhe nëse kishin qenë më pak të sëmura.

“Ka hipoteza se kjo mund të jetë për shkak funksionimit të ndryshëm të sistemit të imunitetit”, tha profesori Francesco Benedetti, udhëheqësi i njësisë për hulumtim në psikiatri dhe psikobiologji klinike në spitalin San Rafaele.