Lifestyle

Rusia planifikon ta aprovojë vaksinën për koronavirus brenda dy jave

Rusia planifikon të bëhet vendi i parë në botë që aprovon një vaksinë për koronavirus. Pritet ta bëjë këtë në më pak se dy javë, megjithë shqetësimet për sigurinë e efektshmërinë e saj, shkruan CNN.

Zyrtarët rusë kanë thënë se po punojnë që të aprovojnë vaksinën më 10 gusht apo edhe më herët, vaksinë që është krijuar nga Instituti Gamaleya me seli në Moskë.

Do të aprovohet për përdorim publik, ku punëtorët shëndetësor në linjën e parë të frontit do të marrin të parët vaksinën, kanë thënë zyrtarët.

“Është moment Sputniku. Amerikanët ishin befasuar kur kishin dëgjuar beepin e satelitit Sputnik. Është njëjtë me vaksinën. Rusia do të arrijë atje e para”, ka thënë Kirill Dmitriev, kreu i fondit sovran të Rusisë, që po financon vaksinën ruse.

Por, Rusia nuk ka zbuluar të dhëna shkencore për testimin e vaksinës. Kritikët thonë se insistimi për të aprovuar vaksinën vjen pas presionit politik nga Kremlini.

Po ashtu ka shqetësime se testimet në njerëz të vaksinës nuk janë të kompletuara.

Kanë filluar disa testime nëpër botë të vaksinave të ndryshme.