Lifestyle

Shkenca thotë që dikush tjetër duhet ta zgjedhë foton tuaj të profilit

Nëse doni të dukeni më së miri në foton tuaj të profilit, hulumtimi sugjeron t’ia delegoni vendimin një të panjohuri.

Kur shkencëtarët në Australi e studiuan procesin e përzgjedhjes së fotos së profilit, ata zbuluan se shumë njerëz marrin vendime të këqija. Kur të panjohurve u lejuan ta zgjedhin foton e profilit të një personi, këto foto i fituan përshtypjet e para më të mira, transmeton koha.net.

"Puna e mëparshme ka treguar se njerëzit nxjerrin konkluzione rreth karakterit dhe personalitetit të një individi brenda një sekonde pasi që e shohin fotografinë e fytyrës së tyre, kështu që rezultatet tona kanë implikime të qarta praktike", tha David White, studiues në Universitetin e New South Wales, në një deklaratë për shtyp. "Nëse doni ta publikoni fytyrën tuaj më të mirë, atëherë ka kuptim që të kërkoni nga dikush tjetër që ta zgjedhë foton tuaj".

White dhe kolegët e tij kërkuan nga 102 studentë që t’i zgjedhin dy nga 12 foto të tyre, fotot të cilat do të kishin më shumë apo më pak të ngjarë t’i përdorin si një foto profili në rrjete të ndryshme– rrjete sociale profesionale për takime. Nga të njëjtët pjesëmarrës më pas u kërkua të zgjedhin foto të profilit të një të panjohuri.

Rezultatet – të detajuara në revistën Cognitive Research: Principles and Implications - treguan se pjesëmarrësit kishin prirje të zgjedhin foto që i theksuan si duhet tiparet e personalitetit, të përshtatshme për secilin lloj të rrjetit online.

"Rezultatet tona tregojnë se njerëzit e dinë se si të zgjedhin fotografi profili të cilat u përshtaten konteksteve specifike të rrjeteve dhe bëjnë përshtypje pozitive për të huajt: fotot për takime duken më tërheqëse, ndërsa fotot profesionale duken më kompetente", tha White.

Por, kur studiuesit ia treguan fotot e zgjedhura të profilit vlerësuesve vullnetarë, ata zbuluan se fotografitë e përzgjedhura nga të huajt fituan përshtypje të para më të favorshme.

"Hulumtimi i ardhshëm duhet t’i hulumtojë mekanizmat që qëndrojnë prapa zgjedhjeve që njerëzit i bëjnë kur i zgjedhin fotografitë e profilit për të zbuluar se pse njerëzit duket se kanë aftësi të kufizuar për t’i zgjedhur fotot më të preferueshme të vetes së tyre", përfundoi White.