Lifestyle

Çka është kokëdhembja e stresit dhe si ta trajtojmë atë?

Aktualisht, stresi duket të jetë shndërruar në diçka tejet normale, por duhet ditur që stresi i madh u shkakton ndryshime të shumta në shëndetin tuaj.

Kokëdhembjet në veçanti, shpesh shkaktohen nga rritja e nivelit të stresit në trupin tonë, por derisa emri “kokëdhembje e stresit” e shpjegon mirë atë që po ndodhë me trupin tuaj, kjo nuk do të thotë se është gjithmonë një diagnozë e saktë.

Çka është kokëdhembja e stresit?

Kokëdhembja e stresit njihet si një lloj tensioni i kokës, deklaron Ellen Drexler, neurologe e certifikuar nga New Yorku.

Sipas saj, këto lloj kokëdhembjesh përcaktohen nga mungesa e tipareve të migrenës, prandaj manifestohen në dy anët e kokës, duke shkaktuar dhimbje në formë të presionit, ndryshe nga dhimbjet e migrenës të cilët shoqërohen me të vjella, ndjeshmëri ndaj dritave dhe tingujve, si dhe të cilat përkeqësohen me çdo lëvizje të trupit.

Sipas data bazës së Librarisë Kombëtare Mjekësore në Amerikë, kokëdhembjet e stresit apo tensionit janë më të zakonshmet dhe përshkruhen si dhimbje ose shqetësim i lehtë në kokë, skalp ose qafë, të shoqëruara shpesh me shtrëngim muskujsh.

Këto lloj kokëdhembjesh i prekin afërsisht 70 për qind të njerëzve, dhe mund të zgjasin nga 30 minuta deri në 72 orë, transmeton Koha.

Stresi, natyrisht luan rol të rëndësishëm në shkaktimin e tyre, por faktorët e tjerë të cilët mund të shkaktojnë dhimbje të kokës janë: konsumimi i alkoolit, kafeina, sëmundjet si gripi dhe ftohja, problemet dentare, pirja e tepruar e duhanit, tendosja e syve dhe lodhja e madhe,

Si ta trajtojmë kokëdhembjen e stresit?

Varësisht nga ashpërsia dhe kohëzgjatja e dhimbjes së kokës së shkaktuar nga stresi, ajo mund të largohet vetvetiu pasi të keni pushuar nga të gjitha aktivitetet që po ju shkaktojnë stres. Shtrirja për të pushuar, meditimi apo praktikimi i yogas, janë opsione të mrekullueshme për t’i trajtuar kokëdhembjet e stresit.

Sidoqoftë, nëse dhimbja është tejet bezdisëse, atëherë atë mund ta trajtoni me analgjetik të thjeshtë si ibuprofeni ose naproxeni, por duhet të keni kujdes që të mos i përdorni ilaçe shpesh.

Mjekët gjithashtu rekomandojnë që në rast se dhimbjet e kokës nuk janë normale për ju, e veçanërisht nëse i takoni moshës mbi 50-vjeçare, atëherë duket të konsultoheni me mjekun apo neurologun, pasi kokëdhembjet e tilla mund të jenë indikacion se diçka më serioze është duke ndodhur me shëndetin tuaj.

Pavarësisht se kokëdhembjet e stresit janë diçka normale dhe të zakonshme, ju nuk duhet lejuar që ato të shndërrohen në faktorë të rregullt në jetën tuaj me të cilin duhet të mësoheni.