Lifestyle

Shkencëtarët studiojnë problemet me gjumin gjatë pandemisë

Një grup neuroshkencëtarësh ndërkombëtarë do të merret me studimin se si bota po fle, apo po dështon të flejë, gjatë pandemisë së koronavirusit, që ka ndalur punën dhe jetën e njerëzve.

Gjumi është kyç për shëndetin fizik dhe mendor, për rigjenerim të qelizave, imunitet, memorie e për rregullim të disponimit dhe emocioneve. Me shumë njerëz që kanë raportuar probleme me gjumë për shkak të koronavirusit – përfshirë vështirësitë për të fjetur, problemet e të qëndruarit zgjuar dhe ankthet - projekti i udhëhequr nga ekspertët e Universitetit të Oksfordit në Britani të Madhe, do të hetojë ndikimin e këtyre problemeve në shëndetin e njeriut.

Studimi për gjumin do të kombinojë hulumtime nga Austria, Kanadaja, Kina, Finlanda, Franca, Gjermania, Hong Kongu, Japonia, Norvegjia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Reuters.

Ky studim do të monitorojë ndikimin e masave për izolim apo vetizolim në gjumin e njerëzve. Ai do të hulumtojë se si rreziqet e të ekspozuarit para virusit dhe se si simptomat psikologjike si ankthet, depresioni e stresi post-traumatik mund të ndikojnë, ose të ndikohen nga, gjumi.

Hulumtuesit shpresojnë të kuptojnë se si kanë lindur problemet e gjumit dhe të kuptojnë se si gjumi gjatë pandemisë është ndërlidhur me stilin e jetës, shëndetin dhe mirëqenien.

Të dhënat do të mblidhen në një databazë ndërkombëtare. Gjetjet, sipas ekspertëve, do t’u ndihmojnë të kuptojnë sfidat, por edhe zgjidhjet se si të ruajnë shëndetin e qytetarëve.