Zbulohet mënyra që të mësojmë aftësi të reja dy herë më shpejt

Zbulohet mënyra që të mësojmë aftësi të reja dy herë më shpejt

25 shkurt 2017 23:30

Çelësi për ta mësuar një aftësi të re motorike - si interpretimi në piano ose zotërimi i një sporti të ri - nuk është domosdoshmërisht se sa orë i kaloni duke ushtruar, por mënyra se si ushtroni, sipas një studimi të ri.

Shkencëtarët kanë zbuluar se duke e ndryshuar trajnimin tuaj, ju mund ta mbani trurin tuaj më aktiv gjatë gjithë procesit të të mësuarit, dhe ta përgjysmoni kohën e cila ju nevojitet për ta arritur standardin e nevojitur.

Hulumtimi e kundërshton supozimin e vjetër se përsëritja e thjeshtë dhe e vazhdueshme e një aftësie motorike - për shembull, ushtrimi i skalave në piano ose luajtja e të njëjtit nivel në lojë vazhdimisht - ishte mënyra më e mirë për ta zotëruar atë, transmeton Koha.net. Në vend të kësaj, rezulton se mund të ekzistojë një mënyrë më e shpejtë (dhe më argëtuese) për ta arritur standardin.

“Ajo që e kemi zbuluar është se në qoftë se e ushtroni një version pak të modifikuar të një detyre që dëshironi ta zotëroni, ju në fakt mësoni më shumë dhe më shpejt se në qoftë se vetëm vazhdoni ta ushtroni të njëjtën gjë disa herë me radhë”, tha hulumtuesi kryesor Pablo Celnik, nga Universiteti Johns Hopkins.

Hulumtuesit e kuptuan këtë kur kërkuan nga 86 vullnetarë që ta mësonin një aftësi të re - duke e lëvizur një kursor në një ekran kompjuterik duke e ndrydhur një pajisje të vogël, në vend të përdorimit të mausit.

Vullnetarët u ndanë në tri grupe, dhe secili i kaloi 45 minuta duke e ushtruar këtë. Gjashtë orë më vonë, njëri prej grupeve iu kërkua ta përsërisin të njëjtin ushtrim të trajnimit përsëri, ndërsa një grup tjetër e performoi një version pak më të ndryshëm i cili e kërkonte një tjetër forcë të ndrydhjes për ta lëvizur kursorin.

Grupi i tretë e përfundoi vetëm seancën e parë të trajnimit, kështu që mund të vepronin si një mostër kontrolluese.

Në fund të periudhës së trajnimit, të gjithë u testuan se sa saktë dhe shpejt ata mund ta kryenin shkathtësinë e re, dhe siç u parashikua, grupi i kontrollit ishte më i dobëti pas sesionit të vet të trajnimit. Por befasia ishte se grupi që e kishte përsëritur seancën origjinale të trajnimit në fakt ishte më i dobët në test në krahasim me ata që i kishin përzier gjërat dhe kishin trajnuar në fusha të reja - në fakt, grupi që e modifikoi trajnimin e bëri dy herë më mirë se ata që e kishin përsëritur shkathtësinë origjinale.

Image

Atëherë, si funksionon kjo? Hulumtuesit besojnë se kjo është për shkak të asaj që quhet rikonsolidim, i cili është një proces ku kujtimet ekzistuese tërhiqen dhe modifikohen me njohuri të reja. Është sugjeruar prej kohësh se rikonsolidimi mund të ndihmojë në forcimin e aftësive motorike, por ky është një nga eksperimentet e para që e ka testuar këtë hipotezë.

Kjo është edhe arsyeja se pse studiuesit ua dhanë pjesëmarrësve një pauzë 6- orëshe në mes të sesionit të trajnimit - hulumtimi i mëparshëm neurologjik ka treguar se kaq kohë nevojitet që kujtimet tona të rikonsolidohen.

“Rezultatet tona janë të rëndësishme sepse pak dihej më parë për mënyrën se si funksionon rikonsolidimi në lidhje me zhvillimin e aftësive motorike. Kjo tregon se si manipulimet e thjeshta gjatë trajnimit mund të çojnë në përfitime më të shpejta dhe më të mëdha të aftësive motorike për shkak të rikonsolidimit”, tha Celnik, përcjell Koha.net. “Qëllimi është që të zhvillohen ndërhyrje të reja të sjelljes dhe orare të reja të trajnimit të cilat u japin njerëzve më shumë përmirësim për të njëjtën sasi të kohës së ushtrimeve.”

Edhe pse ka dobi në përzierjen e gjërave në ushtrimet tuaja, Celnik tha se çelësi është të përshtaten gjërat në mënyrë subtile - për shembull, të përshtatet madhësia ose pesha e një shkopi bejsbolli, rakete tenisi ose topi futbolli në mes të sesioneve të ushtrimeve.

“Nëse e bëni detyrën e modifikuar shumë të ndryshme, njerëzit nuk do ta kenë përfitimin që e pamë gjatë rikonsolidimit. Modifikimi në mes seancave duhet të jetë subtil,” shtoi ai.

Edhe pse këto rezultate janë mjaft emocionuese, ky studim e ka testuar vetëm një grup të veçantë të aftësive, prandaj duhet bërë hulumtime të mëtejshme për t’i konfirmuar gjetjet. Por në qoftë se kjo është e vërtetë, gjetja e një mënyre të thjeshtë për ta dyfishuar shkallën në të cilën njerëzit mund të mësojnë aftësi të reja motorike do të jetë diçka e madhe.

Përveçse do të na ndihmojë që t’i përmbushim rezolutat tona për vitin 2016 brenda gjysmës së kohës – për shembull, që më në fund ta përvetësojmë Clair de Lune nga Debussy - ka ndikime të tjera altruiste të hulumtimit. Hulumtimi ka “implikime të forta për rehabilitim”, shkruajnë autorët në Current Biology. Për shembull, informacioni i ri mund t’i ndihmojë personat me amputime që të mësojnë t’i përdorin protezat e tyre më shpejtë, ose ta përshpejtojë shërimin e njerëzve të cilët kanë vuajtur nga dëmtimet e shtyllës kurrizore ose goditjes në tru.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme