Lifestyle

A e dini çfarë është depresioni i qeshur

A e njihni dikë që vazhdimisht është duke qeshur, ndërsa në thelb është person depresiv? Personat depresivë zakonisht prezantohen si persona që janë të lidhur për shtrati dhe të pikëlluar. Depresioni është një çrregullim i rrënjosur thellë në histori, ndërsa në kohët moderne është një fenomen në rritje, transmeton koha.net.

Nuk e përjetojmë të gjithë depresionin në të njëjtën mënyrë. Disa nuk e dinë se janë në depresion dhe ata mund t’i shohim duke qeshur dhe në të njëjtën kohë pa vullnet. Njerëzit e tillë shoqërohen me dëshirë dhe paraqiten në ngjarje, por përbrenda janë të prekur nga gjendja depresive. Shpesh ndodh që personi i cili vuan nga kjo formë e çrregullimit, nuk dëshiron as vetes dhe as mjedisit t’ia pranojë se e mundon diçka dhe përpiqet ta fshehë atë. Buzëqeshja është shpesh një fasadë e jashtme dhe mekanizëm mbrojtës. Pikëllimin mund ta ndiejmë për shkak të marrëdhënies së dështuar, karrierës së dështuar apo mungesës së motivimit për jetën. Pikëllimi mund të jetë një shenjë e qartë se diçka nuk është në rregull.

Simptomat e tjera të zakonshme të depresionit janë anksioza, frika, zemërimi, lodhja, nervozizmi, humbja e shpresës dhe dëshpërimi. Ata që vuajnë nga këto dhe forma të tjera të depresionit, mund të kenë probleme me gjumin, mungesë të argëtimit në aktivitete të përditshme dhe humbje të dëshirës seksuale. Eksperiencat me depresion janë të ndryshme, ndërsa është e mundur të ndiejnë vetëm një ose më shumë simptoma.

Personat që vuajnë nga depresioni i qeshur shpesh nuk e shfaqin asnjë tregues të problemeve me botën e jashtme. Ata kanë punë të qëndrueshme, e krijojnë familjen, marrin pjesë në sporte dhe e kanë një jetë mjaft aktive shoqërore. Nën maskë ata vuajnë nga pikëllimi, sulmet e panikut, vetëbesimi i ulët, pagjumësia dhe, në disa raste, mendime vetëvrasjeje.

Mendimet e vetëvrasjes mund të jenë një rrezik i vërtetë për njerëzit që vuajnë nga depresioni i qeshur. Njerëzit që vuajnë nga depresioni klasik dhe i rëndë, mund të kenë gjithashtu mendime vetëvrasjeje, por jo edhe energji për veprim. Në këtë rast, njerëzit e kanë aftësinë energjike për planifikimin dhe zbatimin e aktiviteteve. Kjo është arsyeja se pse depresioni i qeshur mund të jetë më i rrezikshëm se forma klasike e depresionit.

Ashtu si shumica e çrregullimeve, depresioni i qeshur është gjithashtu i shërueshëm. Përveç këshillimit profesional ose psikoterapisë, trajtimi mund të fillojë me pranimin e hapur të problemit. Zgjidheni një anëtar të ngushtë të familjes ose ndonjë mik të afërt, dhe flisni për ndjenjat tuaja. Ideja është që ta largoni ngarkesën e tepërt, gjë që mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të depresionit. Diskutimi i hapur dhe ndarja e ndjenjave është një element kyç në luftën me mendimet depresive.