Lifestyle

Deliriumi “mund të jetë i zakonshëm” te pacientët me COVID-19

Deliriumi dhe konfuzioni mund të jenë gjendje të zakonshme te disa pacientë, të sëmurë rëndë me COVID-19, ka sugjeruar të martën një studim i botuar në revistën shkencore “The Lancet”.

Qëndrimet e gjata në përkujdesjen intensive dhe vendosja në ventilatorë mendohet se janë faktorët që e rrisin rrezikun, kanë bërë të ditur studiuesit.

Për këtë arsye, mjekët duhet që të jenë më të vëmendshëm për depresionin, ankthin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD) te pacientët e prekur nga koronavirusi, pas shërimit.

Shumica e pacientëve, veçanërisht ata me simptoma më të lehta, nuk do të preken nga problemet e shëndetit mendor.

Përvojat nga SARS-i e MERS-i

Këto prova bazohen në studimet e bëra me pacientët e prekur nga sindroma e rëndë akute respiratore SARS dhe sindroma respiratore e Lindjes së Mesme MERS, si dhe në të dhënat e hershme të pacientëve me COVID-19.

Studiuesit nga Britania e Madhe dhe Italia gjetën dëshmi për prekjen nga konfuzioni dhe agjitacioni të më shumë se 60 për qind të pacientëve të vendosur në përkujdesje intensive shkaku i sëmundjes COVID-19, nga një sërë studimesh të vogla, kryesisht nga Kina.

Ata kanë paralajmëruar se PTSD-ja mund të shndërrohet në problem te disa pacientë, bazuar në faktin se 33 për qind e të mbijetuarve të SARS-it dhe MERS-it kanë përjetuar stres posttraumatik më shumë se dy vjet pasi u sëmurën rëndë.

Ka pasur po ashtu raportime të shpeshta prej këtyre pacientëve për rishfaqjen e kujtimeve traumatike, për probleme serioze me mbamendjen, ankthin, pagjumësinë dhe humbjen e humorit, gjatë procesit të tyre të rimëkëmbjes.

Por ende nuk dihet qartë se si do të ndikojë pandemia aktuale në shëndetin mendor të njerëzve, pa ndërmarrë hulumtime më të hollësishme, thuhet në studim.

“Rrezik shumë i lartë”

“Analizat tona me më shumë se 3.350 raste të koronavirusit kanë sugjeruar se shumica e të prekurve nuk do të vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, pas kapërcimit të infeksionit të koronavirusit”, ka thënë Jonathan Rogers nga kolegji universitar i Londrës, i cili ishte bashkautor i hulumtimit.

BBC