Lifestyle

Shqetëson sindroma e re nga koronavirusi që po shfaqet tek fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar

Një sindromë serioze, deri tani e panjohur dhe që i atribuohet koronavirusit, duket se po përhapet tek fëmijët.

Ka pasur pak raste, por mjaftueshëm për të ngritur alarmin në spitalet e Britanisë së Madhe.

Sipas “TGCOM”, alarmi u nis nga revista mjekësore e Shërbimit Shëndetësor, pasi disa fëmijë u shtruan në spital në kujdesin intensiv, për shkak të një gjendje inflamatore të enëve të gjakut. Simptoma që duket se kanë të bëjnë me COVID-19.

“Në 3 javët e fundit, në të gjithë Londrën dhe gjithashtu në rajone të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, ka pasur një rritje të dukshme të numrit të fëmijëve të të gjitha moshave që kanë një gjendje inflamatore multi-sistemik, që kërkon kujdes intensiv”, thuhet n ërevistën mjekësore.

Është një simptomë e re që ka ngjallur “shqetësim në rritje” midis atyre që kanë frikë se “mund të ketë një patogjen infektiv, ende të pa identifikuar, i shoqëruar me këto raste”.

Deri më tani ka pak të dhëna në dispozicion, si në aspektin e simptomatologjisë ashtu edhe për përhapjen e inflamacionit: disa nga fëmijët e paktë të shtruar në spital kanë testuar pozitivisht për Covid-19, të tjerë duket se e kanë kontraktuar atë në të kaluarën dhe të tjerë akoma jo.

Fëmijët janë konsideruar gjithmonë me rrezik të ulët nga koronavirusi dhe, për këtë arsye, Shoqata e Kujdesit Intensiv Pediatrik tani u ka bërë thirrje mjekëve të “raportojnë raste të ngjashme me urgjencën maksimale”.