Lifestyle

Acarimet e lëkurës – A janë shenja të prekjes nga koronavirusi

Descriptive Text

Dermatologë të ndryshëm amerikanë kanë shprehur shqetësim për gjasat që prania e COVID-19 në organizëm të manifestohet edhe në lëkurë nëpërmjet acarimeve, njollave apo puçrrave.

Ndonëse këto pretendime janë të parakohshme dhe të pakonfirmuara, disa dermatologë kanë shpalosur mendimet e tyre në rrjetet sociale.

Një prej tyre është dermatologia Sandra Lee, videot e së cilës në platformën Youtube janë ndër më të ndjekurat në botë.

Në argumentin e saj, Lee thotë se shumë sëmundje manifestohen edhe në lëkurë nëpërmjet njollave të kuqe, puçrrave apo acarimit të përgjithshëm.

Gjatë një interviste për revistën Allure, Lee tha se një gjë e tillë është konfirmuar prej kohësh që para shfaqjes së COVID-19.

Sipas saj është logjike të mendohet që edhe koronavirusi të lërë shenja në lëkurën e një njeriu të sëmurë.

“Lëkura është organi më i madh në trupin e njeriut. Çdo ndryshim në lëkurë, zakonisht në formën e një acarimi apo puçrrave të shumta, mund të jetë një sinjalizim i një sëmundjeje apo problemi shëndetësor,” shpjegoi për revistën dermatologu Bruce H.Thiers dermatolog në Karolinën e Veriut dhe president i Akademisë Amerikane të Dermatologjisë.

Në raste virozësh, lëkura mund të mbushet me puçrra si ato të lisë ose njolla të kuqe, të thata e të mëdha që përhapen në shumë zona, përfshirë edhe në gishta.

Studimet për COVID-19 janë të pamjaftueshme

A do të thotë kjo se shfaqja e puçrrave është simptomë e koronavirusit?

Dermatologët thonë se një gjë e tillë nuk mund të dihet me siguri dhe se deri tani asnjë studim nuk e ka konfirmuar një hipotezë të tillë.

Që të jemi të qartë, problemet me lëkurën jo domosdoshmërish duan të thonë që jeni të prekur me koronavirus.

Nëse keni një lëkurë problematike, atëherë shfaqja e këtyre njollave nuk ka lidhje me një virozë.

Megjithatë, nëse krejt papritur dhe për herë të parë lëkura juaj mbushet me njolla dhe puçrra flisni menjëherë me dermatologun ose një mjek të përgjithshëm. /AgroWeb.org