Lifestyle

Keni diabet të tipit 2? Provoni të ecni pas bukës

Descriptive Text

Për personat me diabet të tipit 2, një shëtitje e shkurtër pas ngrënies mund të ndihmojë në uljen e nivelit të sheqerit në gjak më shumë se ushtrimet në kohë të tjera të ditës, sugjeron një studim i ri, transmeton koha.net.

Një matje e sheqerit në gjak e quajtur glikemia pas ngrënies, e cila është lidhur me rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ishte mesatarisht 12 për qind më e ulët kur pjesëmarrësit e studimit e bënë një shëtitje pas bukës, në krahasim me ata që ushtruan në raste të tjera. Rënia më e madhe e glikemisë pas ngrënies, 22 për qind, u arrit duke ecur pas darke, konstatuan autorët e studimit.

"Nëse keni diabet të tipit 2, ekziston një udhëzues që duhet të jeni aktiv për të paktën 150 minuta në javë," tha autori i studimit Andrew Reynolds, studiues në Universitetin e Otagos, në Zelandë të Re.

Por, shtoi ai, "përfitimet që i kemi vërejtur për shkak të aktivitetit fizik pas ngrënies sugjerojnë se udhëzimet e tanishme duhet të ndryshohen për ta specifikuar aktivitetin pas ngrënies, sidomos kur ushqimet e përmbajnë një sasi të konsiderueshme të karbohidrateve," tha ai.

"Planifikoni të ecni pas ngrënies, si pjesë e rutinës suaj të përditshme," shtoi ai.

Megjithatë, një specialist amerikan i diabetit ka një paralajmërim për këtë këshillë.

Ushtrimi është me të vërtetë pjesë e menaxhimit dhe kujdesit të mirë për ata që janë me diabet të tipit 2, theksoi dr. Joel Zonszein, drejtor i Qendrës Klinike të Diabetit në Montefiore Medical Center në New York. Por, ai bëri thirrje për kujdes për përfitimet e ushtrimeve menjëherë pas ngrënies.

Për shkak se sëmundja e zemrës është e zakonshme në mesin e personave me diabet të tipit 2, "ne duhet të jemi të kujdesshëm në nxitjen e ushtrimeve pas ushqimit, pasi që kërkesat në zemër rriten me ushqimin," shpjegoi ai. "Kjo është veçanërisht e rëndësishme për njerëzit me sëmundje të zemrës, meqë devijimi i gjakut nga arteriet koronare apo karotide drejt zorrëve nuk është gjithmonë i mirë për këta pacientë."

Gjetjet e studimit janë publikuar më 17 tetor në revistën Diabetologia.

Në studim, Reynolds dhe kolegët kërkuan nga 41 persona me diabet të tipit 2 të ecnin në total 150 minuta në javë. Në fazën e parë të studimit, pjesëmarrësit ecën nga 30 minuta në ditë sa herë që donin. Në fazën e dytë, 30 ditë pas fazës së parë, pjesëmarrësve iu kërkua ta bënin një shëtitje 10-minutëshe, jo më vonë se pesë minuta pas çdo shujte. Gjatë dy fazave, u monitorua sheqeri në gjak. Ecja pas ngrënies e uli nivelin e sheqerit në gjak në mënyrë më efikase në mesin e pjesëmarrësve, konstatoi studimi.

Përmirësimet në kontrollin e sheqerit në gjak si rezultat i ushtrimeve janë treguar nga shumë prova, theksoi Zonszein, por ushtrimi dhe stili i mirë i jetesës shpesh nuk janë të mjaftueshme.

"Tek diabeti i tipit 2, një kombinim i stilit të mirë të jetesës dhe medikamenteve të duhura është i rëndësishëm për rezultate të suksesshme", tha ai.

Në një studim të dytë në të njëjtin numër të revistës, studiuesit britanikë i analizuan rezultatet e 23 studimeve për marrëdhënien në mes të aktivitetit fizik dhe incidencës së diabetit të tipit 2. Në tërësi, këto studime i përfshinë më shumë se 1.2 milionë njerëz. Në mesin e këtyre pjesëmarrësve, më shumë se 82.000 prej tyre zhvilluan diabet të tipit 2, raportuan hulumtuesit.

Studiuesit zbuluan se ata që ushtruan të paktën 150 minuta në javë e kishin një rrezik 26 për qind më të ulët të zhvillimit të diabetit të tipit 2. Rezultatet gjithashtu sugjeruan se ushtrimi më shumë se 150 minutat e rekomanduara kishte përfitime edhe më të mëdha në uljen e rrezikut të diabetit, duke e reduktuar atë për gjysmë.

Ekipi britanik u udhëhoq nga Andrea Smith nga Health Behavior Research Center në kolegjin universitar të Londrës.