Lifestyle

Vezët s’janë rrezik për zemër, zbulon studimi 30-vjeçar

Descriptive Text

Vezët nuk shkaktojnë probleme në zemër siç ishte thënë në të kaluarën, ka gjetur një studim tridhjetëvjeçar.

Për shkak të përmbajtjes së kolesterolit, vezët kanë qenë vazhdimisht pjesë e debatit për rolin e tyre në shkaktimin e problemeve në zemër.

Por shkencëtarët thonë se i kanë dhënë fund dilemës duke konfirmuar se s’ka kurrfarë ndërlidhje të konsumimit të vezëve me problemet në zemër.

Një ekip në SHBA, i udhëhequr nga hulumtues të Harvardit, ka monitoruar gjendjen e 215 mijë e 618 burrave dhe grave që kanë ngrënë një deri në pesë vezë në javë për 32 vjet.

Ata s’kanë gjetur asnjë ndërlidhje mes konsumimit të vezëve dhe rrezikut për sëmundje kardiovaskulare – që mund të çojnë në sulme në zemër, transmeton Koha.net.

Gjetjet, e publikuara në “British Medical Journal”, kanë treguar se njerëzit që kishin ngrënë më shumë se një vezë në ditë kishin më shumë rrezik, por po ashtu ata kishin ngrënë më shumë mish të kuq e kishin indeks të masës trupore më të lartë.

“Lidhja mes konsumimit të vezëve dhe problemeve kardiovaskulare ka qenë temë e debatit intensiv në dekadën e fundit. Gjetjet nga studimet tjera për konsumimin e vezëve dhe rrezikut për probleme të zemrës nuk kanë qenë bindëse. Rezultati nga hulumtimi jonë grupor dhe të dhënat e përditësuara kanë treguar se konsumimi mesatar i vezëve nuk ndërlidhet me problemet kardiovaskulare aspak”, ka thënë autori Jean-Philippe Drouin-Chartier.

Hulumtimi kishte përfshirë 83 mijë gra mes moshave 30 dhe 55-vjeçare, 90 mijë gra mes moshës 25 dhe 44-vjeçare dhe 42 mijë burra mes moshës 40 dhe 75-vjeçare.