Lifestyle

Konkurrenca, motivuesi më i mirë për ushtrime

Konkurrenca është një motivues më i fortë për stërvitje sesa mbështetja miqësore, kanë konstatuar hulumtuesit nga universiteti i Pennsylvanisë në një studim, transmeton koha.net.

Shkencëtarët e kryen studimin për të eksploruar se si mediat sociale dhe mjetet e tjera online ndikojnë në aktivitetin individual të fitnesit. Derisa mbështetja miqësore mund të duket si një mënyrë më efektive e inkurajimit të njerëzve për ta përmirësuar shëndetin e tyre, ekipi hulumtues thotë se gjetjet e tyre sugjerojnë se kjo në fakt mund t’i bëjë njerëzit që më pak të shkojnë në palestër.

"Shumica e njerëzve mendojnë se kur është fjala për rrjetet sociale, më shumë është më mirë", shpjegoi autori i lartë, Damon Centola, në një njoftim për shtyp. "Ky studim tregon se kjo nuk është e vërtetë: Kur mediat sociale përdoren në mënyrë të gabuar, shtimi i mbështetjes sociale në një program online shëndetësor mund të jetë kundërproduktiv dhe t’i bëjë njerëzit që të aplikojnë më pak sjellje të shëndetshme".

Centola shtoi se përdorimi i mediave sociale mund të ndihmojë në rritjen e aktivitetit ushtrimor, kur përdoret siç duhet. Gjatë studimit, ekipi hulumtues i analizoi 800 pjesëmarrës, ndërkohë që po kalonin nëpër një program 11-javor të ushtrimeve, i cili e përfshinte mentorimin ushtrimor dhe këshilla të të ushqyerit. Programi u menaxhua nëpërmjet një ueb-sajti të dizajnuar nga hulumtuesit.

Aktivitetet ushtrimore në eksperiment përfshinë peshëngritjen, vrapimin, jogën dhe ushtrime të tjera. Pjesëmarrësit të cilët morën pjesë në më shumë klasa, fituan çmime.

Ekipi hulumtues i analizoi subjektet e testimit duke i ndarë ato në katër grupe, të cilat e përfshinin konkurrencën individuale, mbështetjen ekipore, konkurrencën ekipore dhe një grup kontrolli i cili u lejua të marrë pjesë në secilën klasë në kohën e tyre të lirë.

Grupet e motivuara nga konkurrenca u konstatua se performuan më mirë se të tjerat, duke e arritur një normë pjesëmarrjeje 90 për qind më të lartë se grupi i kontrollit. Programet individuale dhe ekipore të konkurrencës ishin ngjashmërisht efektive në inkurajimin e pjesëmarrësve për të ushtruar. Gjetjet e ekipit u publikuan në revistën Preventative Medicine Reports.

"Grupet mbështetëse mund të jenë kundërproduktive për shkak se ato ia tërheqin vëmendjen anëtarëve që janë më pak aktivë, gjë që mund ta krijojë një spirale rënëse të pjesëmarrjes", përfundoi Centola. "Grupet konkurruese i formësojnë marrëdhëniet në kuptim të caktimit të qëllimit nga anëtarët më aktivë. Këto marrëdhënie ndihmojnë për ta motivuar ushtrimin, sepse u japin njerëzve shpresa më të larta për nivelet e tyre të performancës."