Lifestyle

Mikrograviteti duket se neutralizon shumicën e qelizave të kancerit

Ekziston një varg rreziqesh shëndetësore që rrjedhin nga shkuarja në hapësirë. Përveç rritjes së ekspozimit ndaj rrezatimit solar dhe rrezeve kozmike, janë edhe efektet e dukshme që mikrograviteti mund t’i ushtrojë në fiziologjinë njerëzore.

Siç pohon Scott Kelly, këto efekte shkojnë përtej degjenerimit të muskujve dhe eshtrave dhe e përfshijnë funksionin e reduktuar të organeve, shikimit, madje dhe ndryshime në nivelin gjenetik.

Është interesante se gjithashtu ekziston një varg përfitimesh të mundshme mjekësore nga mikrograviteti. Që nga viti 2014, Joshua Choi, pedagog i lartë në inxhinierinë biomjekësore në Universitetin e Teknologjisë Sydney, ka hetuar sesi mikrograviteti ndikon në mjekësinë dhe qelizat në trupin e njeriut.

Në fillim të vitit të ardhshëm, ai dhe ekipi i tij kërkimor do të udhëtojnë në ISS për ta testuar një metodë të re për trajtimin e kancerit që mbështetet tek mikrogravititeti.

Sipas Chou, frymëzimi për hulumtimin e tij erdhi nga një bisedë që ai e pati me të ndjerin dhe të madhin Stephen Hawking. Gjatë bisedës, Hawking kishte theksuar se asgjë në Univers nuk i reziston gravitetit.

Më vonë, kur një mik i Chou u diagnostikua me kancer, ai i kujtoi ato që i kishte thënë dr. Hawking dhe filloi ta pyeste veten: “Çfarë do të ndodhte me qelizat e kancerit nëse i largojmë nga graviteti?”.

E thënë thjesht, kanceri është një sëmundje ku qelizat fillojnë të ndahen në mënyrë të pakontrollueshme dhe të përhapen në pjesë të caktuara të trupit dhe t’i pushtojnë ato. Qelizat e kancerit e bëjnë këtë duke u bashkuar për ta formuar një tumor të ngurtë në trup, i cili më pas rritet derisa qelizat të sinjalizohen për të pushtuar inde të shëndetshme - siç janë zemra, mushkëritë, truri, mëlçia, pankreasi, etj.

Një nga pengesat më të mëdha me hulumtimin e kancerit është se askush nuk e di saktësisht se kur është arritur kjo pikë. Megjithatë, procesi përmes të cilit rritet dhe përhapet kanceri tregon se ekzistojnë mënyra përmes të cilave qelizat janë në gjendje ta ndjejnë njëra-tjetrën dhe të gravitojnë së bashku për të formuar tumor.

Megjithatë, studiuesit biomjekësorë e kuptojnë se mënyra e vetme që qelizat kancerogjene të mund ta ndjejnë njëra-tjetrën është përmes forcave mekanike dhe se ato forca kanë evoluar për të punuar në një mjedis ku ekziston graviteti. Kjo e motivoi Choun të mendojë për mënyrat në të cilat mungesa e gravitetit mund ta pengojë aftësinë e qelizave të kancerit për t'u ndarë dhe përhapur.

Chou ka përvojë në kryerjen e hulumtimeve mjekësore të bazuara në hapësirë. Derisa punonte në Harvard, ai mori pjesë në një projekt që rezultoi në krijimin e një ilaçi për ta trajtuar osteoporozën. Një pjesë e hulumtimit të tyre u zhvillua në stacionin ndërkombëtar hapësinor (ISS). Siç shpjegoi Chou: “Kjo përvojë e parë për të parë se si ambienti hapësinor ndikon në të kuptuarit e biologjisë së qelizave dhe përparimin e sëmundjes më frymëzoi të mendoja ‘Pse nuk mund ta zbatojmë të njëjtën strategji për t’i studiuar qelizat dhe sëmundjet e tjera?’”.

Chou dhe ekipi i tij tashmë i kanë testuar efektet e mikrogravitetit në qelizat e kancerit në laboratorin e tyre. Për ta bërë këtë, një nga studentët e tij të diplomuar e krijoi një pajisje që është në thelb një enë me madhësi të kutisë së shamive të letrës me një centrifugë të vogël brenda saj. Qelizat e sëmundjeve të ndryshme janë të përfshira në një seri grupesh brenda centrifugës, të cilat pastaj i rrotullon derisa ta përjetojnë ndjesinë e mikrogravitetit. Siç tregoi Chou, rezultatet ishin mjaft inkurajuese. “Puna jonë ka zbuluar se kur vendosen në një mjedis mikrogravititeti, 80 deri 90 për qind e qelizave në katër lloje të ndryshme të kancerit që i kemi testuar – të vezores, gjirit, hundës dhe mushkërive – u paaftësuan”, tha ai.

“Me paaftësim mendoj që ato ose vdesin ose largohen, sepse nuk mund të durojnë më. Këto katër lloje të kancerit janë disa nga kanceret më të vështira për t'u vrarë”.

Edhe më mbresëlënës është fakti që këto rezultate u fituan thjesht duke i ndryshuar forcat gravitacionale - pra pa ndihmën e ilaçeve. Kur iu nënshtruan kushteve të mikrogravitetit, qelizat e kancerit nuk ishin në gjendje ta ndiejnë njëra-tjetrën dhe për këtë arsye e patën shumë të vështirë të mblidheshin.

“Zhvillimi i këtij misioni ka qenë një përpjekje gjithë-ekipore - ndihem shumë me fat që jam mbështetur nga fakulteti im dhe një grup studentësh shumë të talentuar të inxhinierisë, të cilët më frymëzojnë të vazhdoj. Ata punojnë shumë që ky projekt të bëhet realitet”.

Në hapin e ardhshëm, i cili do të jetë në fillim të vitit të ardhshëm, ekipi do ta dërgojë eksperimentin e tyre në ISS në një modul hapësinor të dizajnuar posaçërisht (SpaceX do t’i ofrojë shërbimet e lansimit). Chou dhe kolegët e tij gjatë eksperimentit (shtatë ditë) do të qëndrojnë në terren, ku do ta monitorojnë përparimin e eksperimentit dhe do të kryejnë skanime të qelizave të gjalla përmes burimeve të të dhënave.

Pasi të përfundojë eksperimenti, qelizat do të ngrihen për udhëtimin e tyre të kthimit në Tokë, ku Chou dhe kolegët e tij do t'i ekzaminojnë ato për ndryshime gjenetike. Nëse rezultatet në ISS e konfirmojnë atë që Chou dhe ekipi i tij e zbuluan në laborator, ai shpreson se do të jenë në gjendje të zhvillojnë trajtime të reja që mund ta kenë të njëjtin efekt si mikrograviteti dhe ta neutralizojnë aftësinë e qelizave kancerogjene për ta ndjerë njëra-tjetrën.

Këto trajtime nuk do ta përbënin një ilaç por mund t’i suplementojnë regjimet ekzistuese mjekësore kundër kancerit. Të kombinuara me ilaçet dhe kimioterapinë, trajtimet që rrjedhin nga ky studim do ta ngadalësonin në mënyrë efektive përhapjen e kancerit në trupin e njeriut, duke i bërë kështu trajtimet konvencionale më efektive dhe më jetëshkurtër (dhe gjithashtu më pak të kushtueshme).

“Gjithashtu shpresoj se ky është një nga shumë misione australiane për hulumtimet në hapësirë. Ekipi im dhe unë jemi shumë me fat që e kemi mundësinë ta bëjmë këtë studim pasi që është shumë i rrallë dhe do t'i përdorim gjetjet e misionit tonë për ta sinjalizuar komunitetin kërkimor australian se epoka e biologjisë dhe mjekësisë hapësinore ka mbërritur tashmë”.

Ky hulumtim gjithashtu do të jetë i dobishëm në hapësirë, ku astronautët janë të detyruar të kalojnë muaj të tërë në mikrogravitet dhe janë të ekspozuar dukshëm më shumë ndaj rrezatimit (dhe prandaj janë në një rrezik të rritur të zhvillimit të kancerit).

Këta dhe hapat e tjerë që janë bërë në fushën e mjekësisë hapësinore demonstrojnë më tej sesi hulumtimi i bazuar në hapësirë mund të çojë në përfitime komerciale dhe mjekësore për njerëzit këtu në Tokë.