Lifestyle

Si të veproni në raste tërmeti

Descriptive Text

Sot Shqipëria u zgjuar me një sërë tërmetesh të njëpasnjëshme.

Më i fuqishmi u shënuar në orën 04:00 të mëngjesit, që kishte magnitudë 6.3.

Më poshtë, mund të lexoni disa këshilla se si të veproni në raste tërmeti. Dhe në fund, gjeni një video që përmban këshilla për raste të tilla;

• Ruani qetësinë sepse kohëzgjatja është vetëm pak sekonda

• Nëse ndodheni në ambiente të mbyllura, mos dilni jashtë ose të shkoni në dhomat e tjera pasi mund të dëmtoheni nga objektet që mund të bien.

•Shkoni menjëherë poshtë tavolinës, shtratit apo poshtë traut të banesës.

• Kini kujdes nga gjërat që mund t’ju godasin si xhama, mobilje dhe orendi shtëpie.

• Mbani të gjitha dyert hapur, sepse mund të bllokohet dera nga dridhja dhe te mos mund ta hapni më.

• Kini kujdes kur zbrisni shkallët, sepse mund të jenë të dëmtuara.

• Nuk duhet të përdorni ashensorin edhe kur nuk ka lëkundje tërmeti në atë moment, mund të bllokohet ose mund të jetë dëmtuar.

• Qëndroni brenda derisa të kenë mbaruar lëkundjet e tërmetit.

Nëse jeni në një ambient të hapur:

• Largohuni menjëherë nga ndërtesat e larta, pemët, shtyllat elektrike pasi mund të goditeni nga materiale të ndryshme.

• Nëse jeni në makinë në lëvizje, ndaloni sa më shpejt dhe në një vend të sigurt.

• Kini kujdes nga pasoja të tjera të tërmetit, si shembjet e urave, rrëshqitjet e dherave, mureve mbajtës të rrugëve si dhe rrjedhjet e gazit.

Situata të tjera:

• Nëse ndodheni në karrocë me rrota: Zini një pozicion të sigurt dhe vijeni karrocën në frena. Mbuloni kokën dhe qafën me krahët tuaj.

• Nëse jeni në një zonë malore, ruhuni pasi mund të ketë rrëshqitje të dheut.

• Nëse jeni pranë detit, jini të vetëdijshëm se tsunamet/ uraganet janë të lidhur me tërmete të mëdha dhe mund të shkaktojnë dallgë shumë të mëdha që arrijnë deri në tokë.

• Nëse jeni në një vend publik të mbushur me njerëz, shmangni panikun dhe mos nxitoni për të dalë. Qëndroni ulur edhe mbuloni kokën dhe qafën me duart e krahët tuaj.

• Mos përdorni shkrepës pasi në ajër mund të ketë gaz nga prishja e linjave.

Çfarë duhet të bëni pas tërmetit?

Njoftoni numrat e shërbimit të urgjencës 194 dhe Policisë 112.

• Sigurohu që ju edhe personat rreth jush janë në gjendje të mirë shëndetësore.

• Nëse dini të jepni ndihmën e parë, ndihmoni personat që mund të kenë nevojë.

• Mos i lëvizni personat që janë lënduar shumë. Ju mund ta rëndoni më tepër gjendjen e tyre.

• Dilni me kujdes nga banesat.

• Mos harroni të vishni këpucët pasi jashtë mund të ketë xhama dhe sende të tjera dhe mund të dëmtoheni nga këmbët.

• Qëndroni vigjilent ndaj dridhjeve të përsëritura që zakonisht ndodhin gjithmonë.

• Lëreni makinën tuaj larg ndërtesave.

• Shmangni përdorimin e makinës nëse nuk është një emergjencë, në mënyrë që rrugët të jenë të lira për automjetet e urgjencës.

• Nëse jeni bllokuar në një ndërtesë apo rrënoja:

•Përdor të parin celularin nëse ke për të njoftuar numrat e shërbimit të urgjencës 194 apo Zjarrfikësit në 193.

• Mos lëvizni.

• Mos shkaktoni pluhur.

• Mbuloni gojën me një shami ose rrobë.

• Godisni (trokisni) lehtë mbi një mur, tub ose pjesë metalike të strukturës, që shpëtuesit mund t’ju gjejnë.

• Përdorni një bilbil nëse e keni.

• Bërtisni vetëm nëse provat e mësipërme nuk kanë dhënë efekt, por kujdes se gjatë bërtitjes mund të thithni sasi të rrezikshme të pluhurit.

• Nëse në ndërtesën e dëmtuar ka zona të sigurta, shkoni me kujdes drejt tyre.

• Sapo të jeni të sigurt informohuni nga autoritet lokale ose mediat për gjendjen apo nëse ka parashikime për tërmete të tjera ose pasgoditje.

• Kur të ktheheni në banesë:

• Kontrolloni ndërtesën për çarje, dëmtime duke përfshirë çatinë, oxhaqet dhe themelet.

• Kontrolloni ujin, gazin dhe linjat e energjisë elektrike. Nëse nuhasni erën e gazit hapni të gjitha dyert dhe dritaret edhe largohuni menjëherë nga banesa. Njoftoni shërbimet e urgjencës.

• Qëndroni në gatishmëri pasi tërmeti mund të përsëritet.

Video me këshilla