Lifestyle

Dy deri në katër filxhanë kafe në ditë e zgjasin jetën

Foto: Ilustrim

Pirja e vetëm dy filxhanëve kafe në ditë mund ta rrisë jetëgjatësinë tuaj deri në dy vjet, thonë hulumtuesit. Studimi i publikuar në revistën evropiane për epidemiologji u krye duke i analizuar studimet e deritanishme për përfitimet e konsumimit të kafesë.

Duke i analizuar 40 studime që përfshijnë 3.852.651 të anketuar dhe 450.256 shkaqe të vdekjes, hulumtuesit zbuluan se pirja e kafesë e kishte një lidhje të kundërt me vdekshmërinë prej të gjitha shkaqeve.

Sipas hulumtuesve, konsumimi i moderuar i kafesë, dy deri në katër filxhanë në ditë, shoqërohet me ulje të vdekshmërisë prej të gjitha shkaqeve, krahasuar me ata që nuk e konsumojnë atë.

Përveç zgjatjes së jetës, pirja e kafesë gjithashtu e zvogëlon rrezikun e zhvillimit dhe vdekjes nga kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti ose sëmundja e frymëmarrjes.

Studimi u krye për ta ekzaminuar lidhjen midis kafesë dhe vdekshmërisë “në nënpopullata të ndryshme sipas karakteristikave të të anketuarve”, si plakja, mbipesha dhe faktorët e tjerë të jetës që ndikojnë në vdekshmëri, shkruan “Koha Ditore”.

Në Evropë dhe Azi, lidhja midis kafesë dhe rrezikut të zvogëluar të vdekshmërisë ishte më e madhe sesa lidhja e anasjelltë në SHBA, thuhet në studim.

Kjo nuk është hera e parë që janë raportuar përfitimet shëndetësore prej konsumimit të kafesë. Kjo pije e nxehtë është lidhur më parë me aftësinë për ta ngadalësuar rritjen e kancerit të prostatës, përmirësimin e përgjithshëm të shëndetit të zemrës dhe zvogëlimit të rrezikut të zhvillimit të sëmundjes së Alzheimerit ose Parkinsonit.

“Është e vështirë të llogaritet, por unë mendoj që konsumimi i kafesë mund t’ia shtojë edhe disa vjet jetës suaj, dhe se përqendrimi dhe vigjilenca e rritur mund të jenë pjesërisht arsyeja e kësaj gjendjeje”, tha Astrid Nehlig, autore e studimit.