Lifestyle

Lektina është përbërës i shëndetshëm që krijon probleme me tretjen

Rekomandimet zyrtare në lidhje me atë se çfarë është e shëndetshme dhe çfarë nuk është, ndryshojnë vazhdimisht.

Dhjetë vjet më parë, të gjithë ishin të fiksuar me reduktimin për konsumin e yndyrës, dhe pastaj ekspertët e kuptuan se disa lloje të yndyrave janë në fakt të mira për ne, transmeton Koha.net. Kardiologu, kirurgu kardiak dhe eksperti për sëmundjet autoimune, Steven Gundry, thotë se nuk ekzistojnë ushqime 100 për qind të shëndetshme.

Për revistën “Green Body of Mind” Gundry shpjegoi se problemet në traktin tonë të tretjes i shkakton proteina bimore lektina.

“Këto proteina të vogla jetojnë brenda bimëve të caktuara dhe veprojnë si një mekanizëm mbrojtës, ndërsa kur i futni në organizëm atëherë shkaktojnë çrregullime në traktin digjestiv dhe në një farë mënyre ju helmojnë,” tha Gundry, duke shtuar se pikërisht lektina e luan një rol të madh në krizën e shëndetësisë në SHBA.

Lektina ndodhet në frutat arrore, fasule, misër, oriz ngjyrë të kafenjtë, domate, fara luledielli, miell integral dhe shumë ushqime që ne i konsiderojmë të shëndetshme.

“Lektina është një lloj i proteinave (e ndjeshme ndaj sëmundjeve, baktereve dhe viruseve të ndryshme), e cila i detyron karbohidratet (sheqernat, niseshtenë dhe fibrat) që të mbledhin, dhe madje edhe të bashkëngjiten në qelizat e caktuara në trupin tuaj kur i hani. Lektina shpesh e çrregullon komunikimin ndërqelizor, ndërsa kur kjo ndodh vjen deri tek inflamacioni apo reagimet e tjera të organizmit si të përzierat, të vjellat, diarreja, marramendja ose dobësimi i kujtesës,” shpjegoi Gundry.

Besohet që me reduktimin e konsumit të lektinës njerëzit e kanë përmirësuar shëndetin e tyre. Prandaj, në vend që të konsumohet bukë integrale rekomandohet të hahet bukë të bardhë dhe këshillohet që domatja të qërohet para se të hahet dhe t’i largohen farat. Gjithashtu këshillohet që ta shmangni fasulen e konservuar.