Kortizoli ndërlidhet me humbjen e memories afatshkurtër

Kortizoli ndërlidhet me humbjen e memories afatshkurtër

23 shkurt 2017 09:08

Në të rriturit më të moshuar, rritja e nivelit të hormonit të stresit, kortizolit, është lidhur me rritjen e humbjes së kujtesës afatshkurtër – sipas një studimi të ri nga hulumtuesit në Universitetin e Iowës, transmeton koha.net.

Kortizoli është një hormon i cili shfaqet natyrshëm në trup. Ai është me rëndësi jetike për mbijetesën e njeriut, duke i ndihmuar njerëzit që të qëndrojnë vigjilentë kur rreziku shfaqet dhe të mendojnë shpejt, kur vendimet e mira nevojiten shpejt. Dhe kortizoli nuk është i dëmshëm në doza të moderuara, madje edhe ngritjet e nivelit të tij në raste të stresit janë kryesisht të padëmshme dhe pjesë e gjendjes normale njerëzore.

Por periudha të gjata të ngritjes së kortizolit - qoftë për shkak të ankthit, depresionit apo stresit kronik nga një varg i disa ngjarjeve shqetësuese të jetës – janë të dëmshme për trupin. Niveli i lartë i këtij hormoni të rëndësishëm mund ta dobësojnë sistemin imunitar dhe t’i dobësojë muskujt, eshtrat dhe indet lidhëse. Rritja e kortizolit gjithashtu është lidhur me shtimin në peshë dhe presionin e lartë të gjakut.

Dhe, siç e kanë demonstruar hulumtuesit nga Universiteti i Iowës së fundi, ai shkakton po ashtu edhe humbje të kujtesës afatshkurtër.

Hulumtuesit i kanë lidhur nivelet e larta të kortizolit me humbjen graduale të sinapseve në korteksin paraballor, zonën e trurit përgjegjëse për kujtesën afatshkurtër. Lidhja u mbështet nga eksperimente laboratorike që i përfshinin minjtë.

Në eksperiment, minjtë më të vjetër me nivel të lartë të kortizolit performuan dobët në navigimin e rrugës së tyre përmes një labirinti, ndërsa minjtë e vjetër me nivele të ulëta të kortizolit, si dhe minjtë e rinj me nivele të ndryshme të kortizolit, ishin në gjendje të navigonin nëpër labirint me lehtësi, transmeton koha.net.

Kështu, studiuesit konkluduan se lidhja në mes të kortizolit dhe humbjes së kujtesës afatshkurtër vjen në pah vetëm pas moshës 65-vjeçare.

"Hormonet e stresit janë një mekanizëm për të cilin besojmë se çon në erozion të trurit," tha bashkautori Jason Radley, profesor i psikologjisë në Universitetin e Iowës.

Studimi është planifikuar të publikohet këtë javë në Journal of Neuroscience.

Megjithatë, e gjithë kjo nuk është lajm i keq për ata që po plaken. Më herët këtë vit, një tjetër studim tregoi se vetëbesimi i lartë mund të ndihmojë në uljen e niveleve të kortizolit dhe shmangien e pasojave negative shëndetësore të hormonit tek të moshuarit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme