Lifestyle

Kërmilli detar mund të ofrojë alternativë për opioidet

"Ajo që është veçanërisht interesante në lidhje me këto rezultate është aspekti i parandalimit", tha studiuesi J. Michael McIntosh.

Një përbërës i ri i prodhuar nga një specie e vogël e kërmillit detar mund ta frymëzojë një alternativë për opioide, klasën shumë adiktive të ilaçeve kundër dhimbjeve, transmeton koha.net.

"Natyra i ka evoluar molekulat, të cilat janë jashtëzakonisht të sofistikuara dhe mund të kenë aplikime të papritura," tha Baldomera Olivera, profesor biologjie në Universitetin e Utah, në një deklaratë për shtyp. "Ne ishim të interesuar që t’i përdornim helmet për t’i kuptuar rrugët e ndryshme në sistemin nervor."

Kërmilli grabitqar i detit "kurorë konik", Conus regius, përdor helm për ta paralizuar dhe vrarë prenë e vet. Kjo specie jeton në Karaibe.

Olivera dhe kolegët e tij e izoluan komponentin kryesor, Rg1A, nga helmi i kërmillit dhe i testuan aftësitë e tij të reduktimit të dhimbjes tek brejtësit. Komponenti ndërvepron me një rrugë të dhimbjes, të cilën nuk e shënjestrojnë opioidet.

Në teste, studiuesit zbuluan se Rg1A i bllokon receptorët nikotinike të acetilkolinës, duke e reduktuar dhimbjen. Modelet treguan se një analog i Rg1A punoi për t’i bllokuar receptorët e ngjashëm të dhimbjes në njerëz.

"Zbuluam se komponenti po punonte edhe 72 orë pas injektimit, duke e parandaluar ende dhimbjen", tha J. Michael McIntosh, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Utah për Shkenca të Shëndetit.

Hulumtuesit i publikuan rezultatet e testeve të tyre në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences.

"Ajo që është veçanërisht interesante në lidhje me këto rezultate është aspekti i parandalimit. Pasi të jetë zhvilluar dhimbja kronike, është e vështirë që ajo të trajtohet," tha McIntosh. "Kjo komponentë e ofron një rrugë të re të mundshme për ta parandaluar zhvillimin e dhimbjes kronike në radhë të parë dhe gjithashtu e ofron një terapi të re për pacientët me dhimbje të cilëve u janë harxhuar opsionet."

Legjenda: Helmi i përdorur nga një kërmill i vogël i detit në Karaibe do të mundë ta frymëzojë një klasë të re të ilaçeve kundër dhimbjes. (Foto nga My Huynh / Universiteti i Utah)