Lifestyle

Tetë faktorët që mund të shkaktojnë cirrozë dhe kancer të mëlçisë

Mëlçia është organi më i madh në trup dhe ka disa përgjegjësi shumë të mëdha: filtron gjakun, përpunon lëndët ushqyese, ndihmon për të luftuar infeksionet, për të prodhuar proteinat që ju duhen për mpiksjen e gjakut etj.

Të gjitha këto funksione bëjnë që ajo të jetë e sulmuar nga të gjitha anët, duke rritur rrezikun për zhvillimin e problemeve me mëlçinë, cirrozës, madje edhe kancerit.

Shumë njerëz e lidhin dëmtimin e mëlçisë me abuzimin me alkoolin, kur në fakt shumë faktorë të tjerë e rrezikojnë atë, duke filluar nga gjendja shëndetësore, përdorimi i ilaçeve të ndryshme, mënyra e jetesës etj.

Këta janë faktorët, sipas një shkrimi që e transmeton Koha Jonë, që dëmtojnë më së shumti mëlçinë, i cili edhe këshillon se çfarë duhet të bëni për t’u mbrojtur:

Obeziteti

Obeziteti mendohet se është një ndër shkaktarët e dhjamosjes së mëlçisë, një sëmundje që zhvillohet kur ruhet shumë yndyrë në qelizat e mëlçisë. Ekspertët nuk janë shumë të sigurt çfarë e shkakton ekzaktësisht këtë sëmundje, megjithatë, përveç obezitetit, e lidhin atë me sindromën metabolike, tensionin e lartë të gjakut dhe nivelet e larta të triglicerideve.

Nëse lihet pa trajtuar, ajo mund të çojë në cirrozë ose kancer të mëlçisë. Njerëzit e grupmoshës 40-50 vjeç janë më të rrezikuar nga kjo sëmundje, megjithatë nuk përjashtohen as rastet tek adoleshentët obezë. Pjesa më e frikshme e sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur është se nuk shfaq simptoma dhe mund të shkojë gjatë pa u diagnostikuar.

Pijet e gazuara

Pijet e gazuara me sheqer të shtuar janë një ndër shkaktarët kryesorë të shtimit në peshë, prandaj nuk është për t’u çuditur që ato lidhen me dëmtimin e mëlçisë. Një studim i fundit, i publikuar tek Revista e Hepatologjisë, ka zbuluar se njerëzit që konsumojnë një ose më shumë pije të gazuara në ditë kanë më shumë shenja të sëmundjes së dhjamosjes së mëlçis krahasuar me ata që nuk konsumojnë asnjë pije me sheqerna të shtuara, shkruan “Shëndeti”.

Ilaçet

Dozat e larta të ilaçeve si acetaminofen, steroidet anabolike (hormone mashkullore që shumë atletë i përdorin për të rritur performancën atletike), ilaçet ilegale si heroina dhe kokaina, mund të dëmtojnë mëlçinë. Kurrë mos i merrni këto ilaçe pa rekomandimin e mjekut.

Shmangni abuzimet me ilaçet, si legale ashtu edhe ilegale. Nëse vëreni simptoma të dëmtimit të mëlçisë (si verdhëz, ngjyrë të errët të urinës ose dhimbje në pjesën abdominale) vini në dijeni mjekun për këto simptoma dhe ilaçet që po merrni.

Hepatiti

Hepatitet kronike B dhe C janë përgjegjëse për shumë raste të kancerit të mëlçisë në të gjithë botën. Hepatiti C transmetohet kur gjaku i një personi të infektuar kalon në enët e gjakut të një personi të shëndetshëm, për shembull, nëpërmjet gjilpërave të infektuara (përfshirë edhe gjilpërat që përdoren për tatuazhet), kryerja e marrëdhënieve seksuale pa masa mbrojtëse, etj.

Hepatiti C mund të shkojë nga një sëmundje e lehtë që zgjat disa javë, deri në një gjendje të rëndë apo të përjetshme, që mund të çojë në cirrozë apo kancer të mëlçisë.

Sëmundjet gjenetike

Gjenetika gjithashtu mund të luajë rol në shëndetin e mëlçisë, ku shumë gjendje të trashëguara mund të çojnë në shfaqjen e sëmundjeve të mëlçisë. Sëmundja e trashëguar hemokromatoza, për shembull, shkakton formim të hekurit në trup, dhe ky i fundit mund të shkaktojë cirrozë ose probleme me mëlçinë. Më pak e zakonshme është sëmundja Uilson, që shkakton formim të koperit në trup, due dëmtuar kështu jo vetëm mëlçinë por edhe trurin dhe organe të tjera. Fatmirësisht, të dy këto gjendje janë të trajtueshme.

Sëmundjet autoimune

Sëmundje të caktuara imunitare mund të ndikojnë gjithashtu në funksionin e mëlçisë. Në rastet kur sistemi imunitar sulmon gabimisht mëlçinë, quhet hepatiti autoimun. Nuk dihet saktësisht shkaku i kësaj gjendjeje, megjithashtu faktorët gjenetikë mund të luajnë një rolë. Nga kjo sëmundje zakonisht preken gratë, të cilat janë më të rrezikuara nëse kanë edhe sëmundje të tjera autoimune.

Duhanpirja

Një tjetër arsye për të hequr dorë nga duhani: Duhanpirja mund të rrisë rrezikun e zhvillimit si të kancerit të mëlçisë ashtu edhe cirrozës. Kimikatet toksike tek cigaret mund të shkaktojnë inflamacion dhe si pasojë edhe cirrozë. Duhanpirja promovon gjithashtu prodhimin e citokines, substanca kimike që shkaktojnë edhe më shumë inflamacion dhe dëmtim të qelizave të mëlçisë.

Alkooli

Edhe pse shumë faktorë të tjerë mund të luajnë rol, abuzimi me alkoolin mbetet shkaktari kryesor i zhvillimit të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. Sipas Fondacionit Amerikan të Mëlçisë, 10-15% e personave që abuzojnë me alkoolin kanë probleme me mëlçinë. Prandaj konsumimi i alkoolit në sasi të moderuar është shumë e rëndësishme për të mbrojtur mëlçinë.