Lifestyle

Çdo mëngjes nga një vezë u jep të rriturve fuqi, po fëmijëve?

Disa fëmijë janë të çmendur pas vezëve, pavarësisht se si janë të përgatitura ato: të ziera, të fërguara, të ziera pa lëvozhgë..., por prindërit shpesh pyesin se sa mund të jetë i tepërt konsumi në dietën e shëndetshme të fëmijëve.

Nutrologia gjermane, Nadia Roewe, rekomandon që fëmijët midis moshës një dhe trevjeçare duhet të konsumojnë një deri në dy vezë në javë, ndërsa ata pak më të mëdhenj në moshën midis katër dhe gjashtëvjeçare në javë këshillohen t’i hanë dy vezë.

Sasia e cekur gjithashtu vlen edhe për vezët në ushqime të përpunuara, si brumërat dhe ëmbëlsirat, transmeton Koha.net. Lejohen përjashtime të vogla, për aq kohë sa nuk teprohet në raport me sasinë e rekomanduar javore.

“Nëse fëmijët gjatë festave të Pashkëve hanë më shumë vezë, prindërit nuk duhet të shqetësohen, sepse kjo nuk do të ndikojë menjëherë në gjendjen e tyre shëndetësore”, tha nutrologia.

Ajo tha se prindërit nuk duhet të brengosen për sasinë e kolesterolit në të verdhën e vezës, sepse trupi i fëmijëve ia arrin ta rregullojë atë, duke rikujtuar se e verdha e vezës “e përmban një sasi relativisht të lartë të yndyrës”.

Nuk duhet të harrojmë se veza është ushqimi ideal për të gjithë ata që e tolerojnë mirë, sepse ka proteina me të gjitha aminoacidet, vitaminat dhe mineralet esenciale.

Kur është fjala për fëmijët shumë të vegjël ose foshnjat, shtrohet pyetja se kur duhet të përfshihen vezët në të ushqyerit e tyre për shkak të sistemit të tyre të pazhvilluar enzimatik të tretjes.

Pikëpamjet dhe mendimet e ekspertëve dallojnë shumë, por shumica pajtohen se vezët në ushqimin e fëmijëve të vegjël mund të fillojnë të futen që nga mosha gjashtëmuajshe, kryesisht në të njëjtën kohë kur kalohet në ushqimet pure me bazë mishi dhe dieta të tjera alternative, ndërsa njëkohësisht duhet të rikujtojmë se qumështi i gjirit është ushqimi kryesor.

Shumë pediatër rekomandojnë që nga mosha gjashtëmuajshe deri në një vit e verdha e vezës të përzihet me ushqimet e tjera pure. Për shkak të rrezikut nga salmonela, e verdha e vezës duhet të jetë e zier.

Duhet theksuar se çdo vezë e përmban një varg të elementeve kryesore ndërtuese të membranave qelizore, indit të trurit dhe atij nervor, ndërsa këto janë kolina, acidi folik dhe vitamina B12.

Shumë prindër e shmangin përfshirjen e vezës në dietën e fëmijës për shkak të kolesterolit.

Hulumtimi nga viti 2010 tregoi se kolesterol në vezë ka më pak se që besohej më parë, dhe se në to ka 30 për qind më shumë vitaminë D seç mendonin më parë shkencëtarët.

Në përgjithësi, të rriturit e shëndetshëm mund ta hanë një vezë në ditë, ndërsa tek fëmijët e vegjël nuk duhet tepruar, por edhe nuk duhet të kemi frikë prej kolesterolit në vezë, por nga kolesteroli i oksiduar në trup i cili ka tendencë të depozitohet në enët e gjakut.

Sot dihet se shtresat depozitohen edhe në venat e njerëzve të cilët nuk konsumojnë fare vezë për shkak se e gjitha varet nga prodhimi në mëlçi dhe nga metabolizmi i të ashtuquajturit kolesterol i brendshëm.