Lifestyle

Ndryshimet klimatike rrezikojnë zhdukjen e varieteteve të kafesë

Temperaturat në rritje, ndryshimet në sezonin e reshjeve dhe sëmundjet e shkaktuara nga parazitët po kërcënojnë kultivimin e kafesë në mbarë botën.

Sipas një studimi të ri këto fenomene po vënë në rrezik zhdukjeje shumë specie të tjera të kafesë, në gjendje të egër, të cilat mund ta ndihmonin varietetin e kultivuar të kafesë përmes krijimit të hibrideve të reja që t'i përshtatet ngrohjes së motit.

Kafeja përshkruan një rrugë shumë të gjatë para se të arrijë në treg. Por kafenë që kërkojnë këta shkencëtarë, nuk e gjen në kafenenë e lagjes. Kjo është një bimë e rrallë kafeje, që rritet në gjendje të egër në xhunglat e Sierra Leones.

Në vendet tropikale të Afrikës dhe Azisë ka 14 lloje të ndryshme kafeje, transmeton VOA.

Por, 60 për qind e familjes së kafesë së egër rrezikon të zhduket, thotë studiuesi Aaron Davis, që kryeson kërkimet për kafenë në Kopshtin Botanik Mbretëror, Kew Gardens, në Britani.

"Kërcënimi kryesor për llojet e ndryshme të kafesë në botë është shpyllëzimi dhe kjo ndodh ngaqë shumica e specieve gjenden në pyje", thotë Davis.

Bimët e egra të kafesë mund t'i luftojnë sëmundjet më mirë se sa bima e kultivuar. Ato mund ta durojnë më mirë thatësirën dhe temperaturat e larta.

Aaron Davis thotë se këto specie bëhen përherë e më të rëndësishme me ngrohjen e mëtejshme të planetit.

"Llojet e kafesë që ne kultivojmë janë specifike për t'u rritur në zona të kufizuara kilmatike. Kjo do të thotë, se me ndryshimin e klimës: rritjen e temperaturës dhe pakësimin e reshjeve, zvogëlohet zona e përshtatshme për rritjen e tyre", thotë Davis.

Kjo do të thotë se vendet që prodhojnë kafenë, që për ta është një burim i rëndësishëm të ardhurash, do të kenë probleme. Në të gjithë botën, ka rreth 100 milionë fermerë të vegjël që kultivojnë kafenë.

Ndryshimi i klimës përbën kërcënim edhe për speciet e egra të kafesë. Prandaj studiuesi Davis dhe kolegët e tij po kërkojnë nëpër xhungël.

"Nuk duam të gjendemi në një situatë, kur speciet e egra të bimës së kafes të zhduken", thotë Davis.

Studiuesi Davis dhe kolegët e tij thonë se nuk ka kohë për të humbur. Në studimin e tyre të ri ata zbuluan se në "bankat" e farës nuk ekzistojnë rreth gjysma e specieve të kafesë së botës.