Lifestyle

Ushqimi adekuat dhe trajnimi i moderuar parakushtet për linjë të përsosur

Udhëzimet e lidhura me ushqyerjen para dhe pas trajnimit mund të kenë ndikim të rëndësishëm në efikasitetin e ushtrimeve, kështu që duhet t’i merrni në konsideratë faktet e mëposhtme për t’i maksimizuar përparësitë e djersitjes së shkaktuar nga ushtrimet.

"Ushqyerja e duhur mund të jetë një strategji e fshehtë se si të bëheni atletë më të mirë", shpjegon nutricionistja sportive Barbara Lewin, transmeton Koha Ditore.

Sipas saj, ata që ushtrojnë duhet të përdorin materie ushqyese adekuate para se të vendosin për ushtrime.

Karbohidratet

Mos i shmangni karbohidratet natyrale. Ato janë në fakt substanca që funksionojnë si karburant për trup dhe prandaj duhet ta konsumoni ndonjë lloj karbohidrati natyral një orë përpara fillimit të trajnimit.

Shmangni ushqimet yndyrore

Para se ta filloni vrapimin ose të shkoni në palestër, kufizoni sasinë e yndyrës së konsumuar në organizmin tuaj.

"Yndyrat e ngadalësojnë tretjen, që do të thotë se do ta ngadalësojnë shndërrimin e lëndëve të dobishme ushqyese në energji të pastër", thotë nutricionistja Lisa Hayim.

Intensiteti i ushtrimeve

Nëse e praktikoni ushtrimin intensiv, siç është në radhë të parë trajnimi kardio, nuk duhet të hani shumë para ushtrimeve. Qëllimi duhet të jetë të hani ushqim të lehtë dy orë më parë, përndryshe mund të vuani nga dhimbjet e stomakut dhe të ndieni parehati.

Ushqimi pas trajnimit

Brenda 30 minutave pas përfundimit të trajnimit duhet të hani diçka, sepse gjatë kësaj kohe trupi do të jetë në gjendje t’i përdorë në mënyrën më efikase materiet ushqyese nga vaktet.

Siç thonë ekspertët, pas trajnimit kardio, konsumi i proteinave dhe karbohidrateve rekomandohet në një raport prej 4:1. Për shembull, merrni qumësht me çokollatë me përmbajtje të ulët të yndyrave.

Shejku proteinik

"Kur ngrini pesha, është e qartë se i ngarkoni fibrat muskulore. Për t’i shëruar muskujt, duhet t’i ushqeni me proteina, ndërsa karbohidratet natyrale gjithashtu e rrisin energjinë tuaj. Shejku proteinik i bërë nga frutat është zgjedhja e duhur për rikuperim të duhur.

Mos e teproni me ushtrime

Nuk duhet ta teproni kur bëhet fjalë për fitnesin, sepse mund t’i shkaktoni dëm organizmit tuaj. Ushqimet e moderuara me trajnime të moderuara janë opsioni i duhur për një trup të shëndetshëm.

Hidratimi i duhur

Pini të paktën një gotë ujë rreth një orë para ushqimit për ta siguruar fillimin e hidratimit. Nëse e keni nxehtë gjatë ushtrimeve, pini ndonjë pije me pak kalori dhe me elektrolite.