Nutella e brende tjera botërore ndryshojnë cilësinë varësisht nga tregjet

Nutella e brende tjera botërore ndryshojnë cilësinë varësisht nga tregjet

21 shkurt 2017 11:28

Kompani të mëdha po shesin ushqim më të mirë në Austri sesa në Hungari, edhe pse brendet supozohet të jenë të njëjta, ka thënë qeveria hungareze përmes një deklarate të publikuar më 16 shkurt të këtij viti.

Autoriteti hungarez i cilësisë së ushqimit, NEBIH, ka kontrolluar 24 produkte që shiten edhe në Hungari edhe në Austri nga shitës ndërkombëtarë me pakicë siç janë Lidl dhe Aldi. Mes tjerash, është zbuluar se versioni lokal i valerit Manner ishte më pak i fortë dhe Nutella vendore nuk ishte po aq e butë sa edhe ajo që shitet në Austri.

“Mbeta i habitur derisa po e lexoja këtë raport të shkurtër”, ka thënë Janos Lazar, shefi i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, gjatë një konference për media. “Mendoj se ky është skandali më i madh në të kaluarën afërt”.

Lazar tha se qeveria do të nis një kontroll me shkallë të gjerë në më shumë produkte që janë në shitje në Hungari. Ai nuk pranoi të tregonte se çfarë masash specifike do të ndërmarrë Budapesti.

Por, Hungari nuk është e vetme në këtë brengë. Organi mbikëqyrës i ushqimit në Slloveninë fqinje ka thënë javën e kaluar se ka gjetur dallime në shije, në dukje dhe në përbërje në mbi 10 produkte që shiten në vend dhe në Gjermani e Austri, transmeton Koha.net.

Analiza e fundit, e kryer nga Ministria e Bujqësisë dhe Administrata Shtetërore e Veterinës dhe e Ushqimit (ŠVPS), ka zbuluar se rreth gjysma e ushqimeve të testuara kanë treguar dallime në përbërje, ka raportuar “Slovak Spectator”. Ministrja e Bujqësisë ka thënë se këtë çështje do ta ngritë në nivelin evropian.

“Konsumatorët presin të njëjtën cilësi nga i njëjti brend, pavarësisht nga vendi i prodhimit dhe i blerjes”, ka thënë ministrja e Bujqësisë, Gabriela Matečná në një konferencë për media të mbajtur më 14 shkurt të këtij viti.

Megjithatë, ajo mund të përballet me një problem, paralajmërojnë mbikëqyrësit: autoritetet e BE-së nuk janë edhe aq të interesuara për cilësinë – për dallim nga siguria – e ushqimeve të prodhuara dhe shitura përgjatë shteteve të saja anëtare.

Inspektorët e ŠVPS-së kanë testuar një varg prej 22 produktesh të shitura në dyqane me pakicë në Slloveni (specifikisht në Bratislavë) dhe në Austri (në qytetet kufitare Kittsee dhe Hainburg) në nëntor dhe dhjetor 2016, transmeton Koha.net.

Ata përzgjodhën ushqime të ndryshme, përfshi produkte të qumështit, mishit dhe të peshkut, të çokollatave, ushqimeve të pjekura dhe pijeve. Përveç kontrollimit të paketimit, përfshi informatat për përbërësit dhe peshës në gramë, ata kanë analizuar edhe ngjyrës, shijen dhe aromën.

Në testet e tyre analitike, inspektorët janë përqendruar në parametrat e cilësisë siç është përmbajtja e mishit, yndyrave apo proteinave (varësisht se cili produkt është testuar) dhe substancat tjera siç janë ëmbëltuesit dhe ngjyrat.

“Gati gjysma e produkteve përmbanin dallime që në mënyrë të dukshme ndikojnë në cilësinë e tyre”, ka thënë Matečná. Këto produkte, të shitura në Sllovaki, thotë më tej ajo, kishin proporcion më të vogël të mishit dhe proporcion më të lartë të yndyrave, më shumë ëmbëltues artificialë dhe prezervues, si dhe peshë më të vogël në gramë.

Testet që krahasojnë cilësinë e ushqimeve të shitura në Evropën Perëndimore dhe atë Lindore janë kryer më parë në vitin 2011, të porositura nga Shoqata Sllovake e Konsumatorit. Atëherë ishin testuar një varg i produkteve ushqimore me etiketa të blera nga supermarketet në tetë shtete anëtare të BE-së: Gjermani, Austri, Republikën Çeke, Poloni, Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Bullgari. Në mesin e ushqimeve të përzgjedhura ishin pijet, çokollatat, biberi dhe kafja.

Këto teste kanë konfirmuar edhe atë se kompani multi-nacionale e ndryshojnë cilësinë e produkteve që i transportojnë në shtete të ndryshme evropiane nën brendin e njëjtë. Produkti i vetëm që ka dalë të jetë me cilësi identike në të gjitha mostrat e testuara ishte çokollata Milka, transmeton Koha.net.

Komisioni Evropian, megjithatë, ka reaguar ndaj këtyre gjetjeve duke thënë se akuzat ishin të pabaza, dhe ka theksuar se kompanitë multi-nacionale janë të lira të përshtatin produktet e tyre në tregje të ndryshme.

Pas publikimit të këtij artikulli në EurActiv, më 20 shkurt kompania Ferrero që prodhon Nutella-n ka dërguar këtë sqarim:

“Si kompani globale, ne prodhojmë produktet tona në disa fabrika përgjatë Evropës dhe botës. Sido që të jetë, ne mund të garantojmë standarde të cilësisë së lartë të recetave që i prodhojnë ato, të përcaktuara në nivel qendror nga Departamenti ynë i Cilësisë në Ferrero Group; janë të krahasueshme si nga këndvështrimi i përbërjes ashtu edhe nga teknologjia përgatitëse e përdorur. Veç kësaj, të gjitha materialet tona të pagatuara dhe furnizuesit e paketimeve janë të kualifikuar dhe të përzgjedhur sipas standardeve të korporatës, të definuara nga personeli shumë i specializuar i qendrës. Për më tepër, ne kryejmë teste kimiko-fizike, mikrobiologjike dhe teste të sensorëve në nivelin qendror. Këto teste verifikojnë dhe garantojnë cilësinë e të gjitha produkteve të prodhuara në fabrikat tona, në mënyrë që të sigurojmë standarde të barabarta të larta”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme